Protesta në Fier, Rama: “100 petritat” e Saliut përfaqësojnë dëshpërimin e çetës së tij plakë

TIRANË, 9 mars/ATSH-Maela Marini/ “Ata 100 ‘petritat’ e Saliut te kthesa, përfaqësojnë ekzaktësisht dëshpërimin e madh të Saliut dhe çetës së tij plakë, që tani ka mbetur aty ku i takon, rrugëve”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke komentuar protestën e opozitës në Fier.

Në takimin “Bashkia që duam” me qytetarë të Fierit, Kryeministri tha se “ju jeni këtu sepse nuk keni nevojë për shpjegime apo punë bindëse, por të gjithë atyre që na ndjekin dhe akoma kanë nevojë të binden u them të kujtojnë Fierin që ishte”.

“Është shumë e thjesht për këdo që banon në Fier. Mjafton të kujtosh se ku ishim dhe ku jemi. Atje ku ishim janë ata që duan të na kthejnë prapë mbrapa, ku jemi, jemi të gjithë së bashku, dhe ku do të shkojmë do të shkojmë së bashku dhe me plot të tjerë që do të na bashkohen”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh i bindur se edhe shumë qytetarë të Fierit që nuk kanë votuar ndonjëherë për PS-në nuk kanë dhe nuk duan të kenë asnjë lidhje me ata “100 petritat” e Saliut.

“Rrugët e lëna rrugëve i morëm trashëgimi plot me borxhe, gropa e rreziqe dhe pak nga pak po i sistemojmë. Por, ashtu siç la rrugët rrugëve, e nxorri edhe PD-në rrugëve”, tha Rama.

Kryeministri tha se, merr shpesh mesazhe nga qytetarët që të mos dorëzohet. “Kujt t’i dorëzohemi ne? Atyre atje te kthesa që në kthesë janë e në kthesë do mbeten, e kthesën nuk do ta marrin dot për sa kohë nuk do të ndahen nga kush i ka marrë peng. Dhe peng nuk i ka marrë as qeveria, as PS, por peng i ka marrë koka që s’di se ku i çon”, tha Rama.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.