Investimet në rrjet, përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm për dy lagje të Tiranës

TIRANË, 9 mars /ATSH/- Në një kohë që temperaturat e larta po afrojnë, dy lagje të tjera në kryeqytet kanë marrë zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm.

Bashkia e Tiranës ka finalizuar ndërtimin e një rrjeti të ri ujësjellës kanalizimeve . Nisur nga ankesat e banorëve për rrjetin e kanalizimeve në rrugën “Nikolla Tupe” (në ish-bllok), Bashkia e Tiranës u përgjigj menjëherë duke kryer investimin e ri, që siguron një shërbim shumë më cilësor për qytetarët.

Ndërkaq, pas verifikimeve në terren, grupet e punës kanë bërë të mundur riparimin  e tubacioneve të amortizuara tek rruga “Ymer Kurti” në Njësinë 5, duke eliminuar problemet në rrjetin e vjetër të ujësjellësit. Ky rikonstruksion eliminon problematikat e furnizimit me ujë të pijshëm, duke mundësuar një shërbim më të mirë ndaj banorëve të zonës përreth.

Bashkia e Tiranës ka realizuar një sërë investimesh të rëndësishme në shumë zona të kryeqytetit, duke rinovuar tërësisht rrjetin e amortizuar nga mosvënia dorë prej vitesh duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të cilësisë së tij.

Në të njëjtën kohë një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe përgjigjes në kohë të shqetësimit të qytetarëve për çdo problem në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve përmes specialistëve të UKT.

e.xh//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.