Agroturizmi, instrument për zmbrapsjen e varfërisë dhe papunësisë

TIRANË, 9 mars/ATSH-Maela Marini/ Agroturizmi është instrument i suksesshëm i provuar edhe në vendet e tjera, për ta zmbrapsur përfundimisht varfërinë dhe papunësinë te të rinjtë, ndaj qeveria do të mbështesë fuqimisht me grante të gjithë ata që kanë projekte.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në takimin me qytetarët e Fierit në kuadër të ciklit “Bashkia që duam”.

“Të krijohet mundësia që në ato zona aq të bukura, ku turistët vijnë, shikojnë kishat, Apoloninë dhe vendet e bukura me trashëgimi natyrore, të kenë mundësi të qëndrojnë dhe të hanë ushqimet e zonës dhe të flenë nëpër shtëpia”, tha Rama.

Turistët që vijnë në zonat rurale, sipas Ramës, nuk kërkojnë hotele me 5 yje në fshat, por kërkojnë atë që fshati ka.

Në këtë mënyrë, tha Rama, “i japim një shtysë të re ekonomisë familjare. “Një pjesë e banorëve në fshat u janë dedikuar prodhimit dhe eksportojnë, një pjesë tjetër punon në parcela të vogla dhe nuk i dedikohet dot prodhimit. Atëherë duhet që ta kthejnë atë parcelë në shërbim të bujtinës dhe të kthejnë shtëpinë në bujtinë për të pritur njerëz”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “nëse kursimet e emigrantëve investohen në këtë drejtim, fitimi nga bujtinat dhe agroturizmi është i barabartë me më shumë se sa fitojnë në një vit pune jashtë shtetit”.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.