Margariti: Turizmi dhe bujqësia, potenciale zhvillimi për Libofshën

TIRANË, 8 mars/ ATSH A.ALLA/ – “Përveç investimeve madhore, propozohen dhe ndërhyrje pikësore për ta lidhur Libofshën me fshatrat të tjerë, projekte të mini shesheve të pjesës qendrore të Libofshës, tregje produktesh lokale pasi gjithë veprimtaria e produkteve tipike shqiptare në programin 100 Fshatrat përkthehen në një zinxhir dyqanesh që ne e kemi titulluar dyqani “E dua”, është një vlerë e shtuar e cila do sjellë akoma dhe më tepër një vëmendje jo vetëm mbi të bukurën tonë por mbi të gjitha mbi kulinarinë dhe produktet autoktone”, theksoi ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë takimit në Libofshë të Fierit për programin kombëtar “100 Fshatrat”.

Margariti theksoi se falë kombinimit të të gjitha këtyre ndërhyrjeve në nivel sistemi dhe në nivel pikësor synohet që të ketë një zhvillim ekonomik. “Ky është çelësi i zhvillimit të 100 Fshatrave, pra duhet patjetër të kemi vëmendjen jo vetëm te infrastruktura por duhet të fillojmë me prekjet që kanë të bëjnë me aktivitete të vogla ekonomike. Bashkërendimi i të gjitha fuqive që kalojnë nga ato të nivelit qendror dhe ato të nivelit lokal është çelësi i suksesit të programit 100 Fshatrat”, tha Margariti.

Sipas saj, zhvillimi jo vetëm i Libofshës por dhe gjithë fshatrave përreth ka për bazë sektorin e bujqësisë dhe dhe atë të turizmit i cili është një turizëm si kulinar ashtu dhe kulturor. “Një nga objektivat strategjikë në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe turizmit bazohet në investime në infrastrukturë si në njësitë vaditëse, magazinuese – grumbulluese ashtu dhe në agropërpunimin i cili mbetet një sektor kyç pasi në Shqipëri akoma nuk ka marrë hovin po ka vërtet një mundësi të madhe zhvillimi”, tha Margariti.

Ajo shtoi se, fillimi është krijimi i një poli tërheqës kulturor dhe ekonomik i cili përbëhet nga një zinxhir i tërë fshatrash jo vetëm nga Libofsha, fshati Krutje ka potenciale të larta prodhuese dhe ka shfaqur iniciativa shumë të mira investimi në biznese sidomos në fushën e blegtorisë.

“Krenohemi për të dhe për kishat që ka siç është ajo e Shën Kollit që është një pasuri kulturore. Gjithashtu është fshati Ardenicë që të gjithë e njohim për manastirin e tij, fshati Pojan me qytetin antik të Apolonisë ka pasur një përkushtim të veçantë nga delegacioni europian i cili ka hartuar dhe bashkëpunuar dhe për konservimin dhe restaurimin e këtij fshati”, vuri në dukje Margariti.

“Nga takimet që kam zhvilluar kohët e fundit shumë nga partnerët e huaj kanë një vëmendje të veçantë për aspektin arkeologjik. Kjo nuk do të thotë të rigjejmë rrënjët tona, nuk do të thotë të vazhdojmë punimet në zonat arkeologjike për të zbuluar akoma më shumë por do të thotë ardhje e një turisti profesionist i cili do qëndrojë për një kohë të gjatë në këto vende. Kjo shtrihet më gjerë në edukimin e brezave të ri të cilët kanë mundësi që nëpërmjet ekspertëve të huaj të mësojnë dhe të kenë një profesion në të ardhmen”, theksoi Margariti.

”Mikpritja dhe kulinaria si karakteristikat e shqiptarisë po e kthejnë vendin në një histori suksesi sepse mikpritja ka bërë që sytë të kthehen tek ne dhe zhvillimi të mund të ecë gjithmonë e më shpejt”, tha Margariti.

“Cakrani ka pasur një vëmendje të veçantë në mbështetjen e të rinjve ku fondacioni  i Lorik Canës ka bërë që dhe të rinjtë nëpërmjet sportit dhe arsimit të mbështeten dhe ky është vetëm fillimi i këtyre prekjeve të vogla që shkojnë përtej turizmit dhe bujqësisë pra një vëmendje dhe për sa i përket arsimit. Janë bërë disa ndërhyrje të cilat kanë përfunduar si në Pojan, rikonstruksionet e shkollave, në Ardenicë qendra shëndetësore, në Krutje rikonstruksionet e shkollave të mesme. Në kulturë kemi realizuar gjatë këtyre viteve rikonstruksionin nëpër kishat e shumta. Libofsha në këtë fushë ka mundësi akoma dhe më tepër të ketë një zhvillim dhe vëmendje të veçantë pasi ju jeni fshati i kishave me 15 objekte kulti ku tre kisha janë pasuri kulturore dhe bëjnë pjesë në një itinerar të plotë të “Rrugëve të besimit’’, përfundoi ministria e Kulturës Elva Margariti. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.