Manastirliu: Kujdesi shëndetësor i gruas, prioritet i qeverisë

TIRANE, 8 mars/ATSH/- Ndërgjegjësimi i vajzave dhe grave për kujdes shëndetësor është rritur, pasi në vitin 2018, bashkëpunimi i mjekut të familjes me qytetarët dhe banorët ka rritur mbulesën në territor për sa i përket kontrollit mjekësor bazë Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një intervistë për ERTV.

Ministrja u ndal te programet e reja të qeverisë për kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale të grave.

“Objektivi ynë madhor mbetet mbulimi shëndetësor universal, shërbimi i aksesueshëm cilësor dhe i përballueshëm. Programet fillojnë me programet e parandalimit dhe janë shumë të rëndësishme. Ne jemi fokusuar që në këto 5 vite të qeverisë të forcojmë kujdesin parësor, lidhur jo vetëm me  programet e kontrollit që prekin targetin 35 deri 70 vjeç, siç është kontrolli mjekësor bazë. Nga kontrolli mjekësor bazë përfituan 428 mijë qytetarë dhe pikërisht më shumë se 50 përqind e përfituesve ishin gra që përfituan falas paketën e kontrollit mjekësor bazë. Një paketë që kryhet një herë në vit falas në çdo qendër shëndetësore, me rëndësi për parandalimin e sëmundjeve”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, ministrja bëri të ditur se në Tiranë po pilotohet programi i ftesës personale për kontrollin mjekësor bazë.

Ftesa personale do i shkojë në shtëpi çdo qytetari nga mosha 30 deri në 75 vjeç, në muajin e lindjes për të kryer kontrollin mjekësor bazë.

Sot, sipas Manastirliut, falë mamografive të reja në 5 spitale rajonale dhe përmes njësive të lvizshme të mamografive, gratë kanë mundësinë të kryejnë falas ekzaminimin e kancerit të gjirit.

Në të njëjtën kohë, tha ministrja, sapo ka nisur programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës nga i cili pritet të përfitojnë 70 mijë gra në vit që do e kryejnë falas testin hpv.

Ministrja shtoi se përveçse programeve të shëndetësisë,  qeveria e ka fokusuar vëmendjen te mbështetja sociale, veçanërisht për gratë në nevojë duke përmendur programet për edukimin profesional të grave nga shtresat vulnerabël dhe rintegrimin e tyre në jetën sociale dhe tregun e punës.

Gjithashtu, ministrja në urimin për 8 Mars, dhe mesazhin për fuqizimin e vajzave dhe grave shqiptare.

“Unë besoj fort se misioni i një gruaje në politikë është një mision shumë fisnik sepse duhet të bëhet zëri i fortë i atyre vajzave që nuk u është dhënë zë apo kanë njohur veç heshtjen. Për çdo grua që është në politikë, është përgjegjësia që të përkushtohet për të dhënë 100 % nga vetja për të transmetuar zërin e vajzave dhe grave.Mbështetja jonë shkon së pari për gratë që nuk kanë zë”, tha Manastirliu. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.