FOTO/ “Kur Sigurimi merrej me shkencë”, botimi nga Autoriteti i Dosjeve

TIRANË, 8 mars /ATSH/ – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Projekti PERFORM – Shkenca Sociale Aktive dhe të Përgjegjshme bashkëpunuan përgjatë 2018 për ndërtimin e një narrative mbi rolin e shkencës, elitave intelektuale dhe kërkimit shkencor në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.

Aktiviteti përmbyllës i projektit u zhvillua në mjediset e Akademisë  së Shkencave, aty ku zuri fill një vit më parë dhe trajtoi në mënyrë multidisiplinore profilet e akademikëve Gjergj Kokoshi, Eqrem Çabej, Sabiha Kasimati, Arshi Pipa, Aleks Buda, Petraq Pepo, Gjovalin Gjadri, Petraq Qafoku dhe Kolë Kamsi.

Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe nismëtare e projektit tha mes të tjerash se, ”në punën me arkivin, Autoriteti synon përcaktimin e metadatave dhe përpunimin arkivor që i jep përparësi mbështetjes së axhendës së studimit shkencor, e cila është konsultuar dhe bashkërenduar me organizma akademikë dhe të memories. Kuadri konceptual i punës është ndërtuar në formë matricore dhe ka të bëjë me tematikën, gjeografinë e ngjarjeve dhe kontekstualizimin e tyre”.

Mbështetës i projekteve mbi kujtesën, Adrian Maître, Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, përshëndeti aktivitetin dhe bashkëpunimin, duke e vënë theksin te rëndësia e nxjerrjes në dritë e historive të patreguara dhe puna sistematike për zbulimin e së shkuarës.

”Synimi kryesor për fuqizimin e komunitetit të shkencave sociale dhe mbështetja e iniciativave të ndërmarra nga grupet e studiuesve me aktorët e tjerë në shoqëri, përfshirë sektorin publik, privat, shoqërinë civile dhe median u materializua me platformën online dhe botimin dygjuhësh”, u shpreh Martin Dietz, drejtues i projektit PERFORM.

Përgjatë një viti jo me pak sfida, nisma u finalizua me studime të qenësishme, duke rishqyrtuar mbi baza profesionale figura dhe personalitete të shkencës, duke ofruar akses në arkivat e AIDSSH-së dhe shpërndarë këtë informacion në një platformë ndërvepruese komunikimi dhe botuar në dy gjuhë studimet shkencore, për të rinjtë shqiptarë dhe të interesuarit e shumtë jashtë vendit.

Hulumtimi i rolit të shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954) bashkoi punën kërkimore arkivore me misionin e Autoritetit për informimin e publikut dhe ruajtjen e kujtesës historike, për hapjen e dialogut publik mbi të shkuarën.

Personalitetet e studiuara, qasja shkencore dhe metodologjia u prezantuan nga historiane Prof. As. Dr. Sonila Boçi, drejtuese e grupit të studiuesve. Me radhë, kërkuesit shkencorë paraqitën punimet e tyre dhe qasjen e përzgjedhur për trajtimin e rolit të ish-Sigurimit të Shtetit si arma më e fuqishme e ruajtjes së pushtetit të Partisë-Shtet mbi shkencën dhe përfaqësuesit më në zë të saj.

Prof. As. Dr. Albert P. Nikolla, Dr. Andi Pinari, Prof. As. Dr. Ledia Dushku dhe Prof. Enriketa Pandelejmoni-Papa bashkëpunuan me një grup të rinjsh të përzgjedhur për të finalizuar punimet e tyre. Studentët Doris Pasha, Enxhi Beka, Indrit Qejajaj, Joana Doda dhe Kristi Kolçe ishin pjesë e paraqitjeve dhe ndanë me të pranishmit përvojën e studimit të personaliteteve në fjalë, nëpërmjet dosjeve të survejimit.

Platforma ndërvepruese e komunikimit www.dosjet.gov.al  dhe libri “Kur Sigurimi merrej me shkencë” u bënë të njohura për të pranishmit nga Ardita Repishti, Fatmira Nikolli dhe Denis Saatçiu, të cilët, përmes ekspertizës përkatëse prezantuan mundësitë e njohjes me informacionin mbi dosjet e Sigurimit nga të rinjtë, studiuesit apo të interesuarit e tjerë.

Nxjerrja në dritë e informacionit deri dje sekret dhe rikrijimi i kuadrit historik, nëpërmjet kërkimit të mbështetur shkencor, duke dhënë profilet e personaliteteve, duke ndërtuar kohështrirjen e jetës së secilit, duke e gërshetuar atë me tablonë historike, politike, ideologjike e shoqërore të kohës është hapi i parë.

Intelektualët akademikë të dhjetëvjeçarit të parë të komunizmit do të pasohen nga profile të intelektualëve të dhjetëvjeçarëve pasues dhe tematika të tjera. Platforma do të pasurohet në vijim me informacion mbi Sigurimin e Shtetit, të vendosur gjithnjë në kontekst historik, duke qenë e aksesueshme për të gjithë, shqiptarë e të huaj dhe e dobishme në disa nivele njohjeje. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.