FOKUS – Macron kërkon rilindjen e Europës

PARIS, 8 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron u ka shkruar një letër 500 milionë qytetarëve europianë duke u propozuar planifikimin e përbashkët në rrugëtimin e së ardhmes europiane dhe një seri propozimesh konkrete për të ardhmen e kontinentit duke përfshirë edhe rishikimin e zonës Schengen.

”Qytetarë të Europës, nëse jam duke marrë lirinë për t’ju drejtuar drejtpërdrejt, nuk është vetëm në emër të historisë dhe vlerave që na bashkojnë, por për shkak se koha nuk pret”, shkruan Macron në letrën e publikuar për herë të parë në Twitter në të gjitha gjuhët e BE-së.

Letra është e ndarë në tri pjesë, respektivisht ”Mbrojtja e lirisë sonë”, “Mbrojtja e kontinentit” dhe “Rikuperimi i shpirtit progresiv”.

Macron fillon duke marrë si shembull Brexit, që e konsideron si një krizë të Europës, që  nuk iu përgjigj nevojës së njerëzve për mbrojtje nga goditjet e botës moderne.

Ai ngre disa pyetje retorike për qytetarët britanikë mbi të ardhmen e tyre pas Brexit, si humbjen e aksesit në tregun europian dhe rrezikun e paqes në kufirin me Irlandën.

Ai thekson një sërë propozimesh për rinovimin nga rishikimi i përgjithshëm i zonës Schengen për të siguruar lirinë, për krijimin nga Këshilli Europian i Sigurisë të një plani të përbashkët mbrojtjeje, që përfshinë dhe Britaninë e Madhe si dhe një ndalim mbi fondet e huaja për partitë europiane.

Në letrën e dërguar edhe në gazetat e 28 vendeve anëtare të BE, përfshirë edhe ato britanike, presidenti 41-vjeçar bën thirrje për rinovimin e Europës, vetëm dy muaj para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Kritikë të ndryshëm thonë se presidenti francez e ka dramatizuar situatën, ashtu siç bëri gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 kundër Marine Le Pen.

Pas rënies nëpër sondazhe dhe për shkak të protestave të jelekverdhëve, presidenti tashmë është duke rimarrë veten dhe shpreson të fitojë një vrull të ri me zgjedhjet për PE-në.

Gjithashtu në letër, Macron propozon krijimin e një Banke Europiane të Klimës, një pakt për zhvillimin e Afrikës dhe një konferencë  të madhe për reformat deri në fund të këtij viti.

Letra përfundon me thirrjen që Macron u bën qytetarëve europianë.
”Kjo është zgjidhja që unë propozoj: ta skicojmë së bashku rrugën drejt rilindjes europiane”, shkruan Macron./ /xhm/ a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.