Agroturizmi, fuqia e mikpritjes paralelisht me zhvillimin e bujqësisë

TIRANË, 8 mars /ATSH – I. Vata/ – “Libofsha është e pozicionuar në mënyrë ideale për zhvillimin rural të turizmit”, tha Kryeministri Edi Rama, ndërsa vendosi theksin te investimet e emigrantëve në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në bujtina për turistët.

Kryeministri Edi Rama theksoi se përveç investimeve në bujqësi për ata që janë të fuqishëm, gjendet dhe një fuqi tjetër për ata që janë teorikisht të pafuqishëm, duke besuar te fuqia e mikpritjes.

“Natyrisht se zhvillimi i bujqësisë  është prioritet ku nuk diskutohet që objektivat do të arrihen. Përveç atyre që janë të bashkuar dhe që janë të fuqishëm, për ata të cilët  teorikisht janë të pafuqishëm për të qenë pjesë e kësaj rruge, duhet t’i besojnë një fuqie tjetër, fuqisë së mikpritjes, duke ndërtuar një sistem i cili është  i llogaritur dhe i provuar”, tha ai.

“Agroturizmi u jep kursimeve të emigrantëve të investuara në këtë sistem më shumë të ardhura se te puna që janë në emigracion”, tha Rama në vijim.

Po ashtu kryeministri Rama shtoi se “Nëse kursimet e emigrantëve do fokusohen pak nga pak në këtë drejtim duke u investuar në shtëpitë e lëna pas dhe duke u investuar për të krijuar kushte për një mikpritje tradicionale jo luksoze, ku të ketë thjesht pastërti, ku të jenë ushqimet e zonës dhe ata që vijnë u ofrohen dhe bukuritë e zonës dhe kuriozitete kulturore dhe historike të zonës, kjo do të përbëjë një kapërcim të rëndësishëm në cilësinë e ekonomisë familjare. Si zona të tjera rurale në Shqipëri, Libofsha është e pozicionuar  idealisht për këtë lloj zhvillimi rural të turizmit”, tha kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.