6500 gra kryefamiljare përfituan ndihmë ekonomike, mbi 1000 nga programet e punësimit

TIRANE, 8 mars/ATSH/- Për gratë që kanë dalë nga ndihma ekonomike, qeveria ofrojë një program më të integruar me mundësi të punësimit dhe aftësimi profesional.

Kështu deklaroi sot Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një interviste për ERTV ku u ndal te programet mbi kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale të vajzave dhe grave.

Ministrja e vuri theksin te edukimi përmes kurseve profesionale të grave nga grupet vulnerabël.

“Më shumë se 6500 gra kryefamiljare kanë përfituar nga ndihma ekonomike dhe më shumë se 1000 gra përfituan nga programet e  punësimit dhe aftësimit professional. Fokusi ynë është ndihmojmë gruan për të rihyrë në jetën sociale”, tha Manastirliu.

Ajo bëri të ditur se për vitin 2019, fokusi është jetësimi i programit të ndërmarrjeve sociale, për herë të parë i buxhetuar në buxhetin e shtetit, duke vendosur si kusht që 30 përqind e punonjëseve në ndërmarrjet sociale të jenë nga familjet në ndihme ekonomike.

Lidhur me luftën kundër dhunës me bazë gjinore, Manastirliu garantoi se aktualisht në terren janë ngritur mekanizmat me përfaqësues të institucioneve shtetërore që ofrojnë këshillimin dhe mbështetjen konkrete për gratë e rrezikuara në terren.

“Puna konkrete në terren ka treguar që ne kemi përmirësuar në vazhdim këto tregues. Ne jemi me strukturat tona të kujdesit social në të gjithë territorin, për të ofruar mbështetje sociale për gratë në nevojë”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.