Shqipëria turistike në panairin e Berlinit, Klosi: Promovim i vlerave për rritjen e ekonomisë dhe punësimit

TIRANË, 7 mars /ATSH/ – Shqipëria, një nga stendat pjesëmarrëse me paketën e diversifikuar turistike të saj, mes 180 shteteve në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin.
Një nga eventet më të rëndësishme në botë, si edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të njohur dhe prezantuar drejtpërdrejt potencialet e Shqipërisë për turizmin gjithëvjetor jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë.
I pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare të Turizmit, mes përfaqësuesve nga kompanitë turistike më të njohura në botë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi foli për arsyet pse sipërmarrësit e huaj duhet të investojnë në fushën e turizmit në Shqipëri, si edhe për mundësitë e jashtëzakonshme që ofron ky destinacion turistik për turizëm gjithëvjetor, jo më vetëm sezonal.
”Të përpiqemi të kuptojmë që promovimi i Shqipërisë turistike është një mundësi e artë jo vetëm për të bërë biznesin e hotelerisë, por kemi shumë të nevojshme të kuptojmë që i gjithë ky biznes i shërben Shqipërisë për të promovuar vlerat e saj, është një ekonomi e rëndësishme për ekonominë e vendit, është një mundësi për të shtuar biznesin, për të shtuar punësim. Është një mundësi e artë që ne kemi, për të qenë pjesë e një tregu jo vetëm ballkanik, por edhe europian të promovimit të turizmit, por siç e kemi kuptuar edhe nga ajo që ndodhi në vitin 2018 ne kemi një numër shumë të rritur turistësh, por rritja e numrit të turistëve na rrit edhe përgjegjësitë”, tha ministri Klosi.
Megjithëse rritja e numrit të turistëve, por edhe e investimeve në hoteleri, nga sipërmarrës shqiptarë dhe të huaj shtojnë përgjegjësinë e institucioneve dhe detyrimet që institucionet shtetërore, por edhe tur operatorët kanë, për ti furnizuar me më shumë turistë.
“Për të qenë të qëndrueshëm në tregun ballkanik ne duhet të kuptojmë që jemi të rrezikuar edhe nga konkurrenca e vendeve pranë nesh, prandaj duhet të promovojmë Shqipërinë, por njëkohësisht të kuptojmë së bashku se çfarë duhet të bëjmë si institucione qendrore dhe të biznesit privat për të siguruar një destinacion të qëndrueshëm në vendin tonë”, u shpreh ministri Klosi, përpara dhjetëra operatorëve turistikë nga e gjithë bota. /a.a/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.