“Pylli vertikal i Tiranës” në syrin e revistës prestigjioze të arkitekturës

TIRANË, 7 mars/ATSH/-Ideja e arkitektit Stefano Boeri për një kullë me pyll vertikal në Tiranë ka pasur jehonë në revistën “Dezeen”, ku theksohet se ky arkitekt është i specializuar në ndërtimin e kullave të tilla, pasi më parë i ka realizuar në Milano, Utreht dhe Nanjing.

“E quajtur “Pylli Vertikal i Tiranës”, kulla me fasadë xhami do të ketë bimë të mbjella nëpër ballkonë për të rritur sipërfaqen e gjelbër në qytet dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Stefano Boeri thotë se kjo do të krijojë 550 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër në Tiranë”, lexohet në artikull.

“Bimët thithin dioksidin e karbonit dhe grimcat e pluhurit që ndosin atmosferën e qyteteve, duke nxjerrë oksigjen dhe duke krijuar mikroklima që janë më të shëndetshme për banorët”, shton artikulli i “Dezeen”.

Drejtoresha e “Stefano Boeri Architetti” shprehet: “Ne kemi punuar në fasadë, duke përmbysur idenë në të cilën fasada kryesore e secilës ndërtesë është më e gjata dhe duke hapur plotësisht anën e shkurtër të këtij Pylli Vertikal drejt qytetit”.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.