Parku Detar Karaburun-Sazan, projekt 3-vjeçar për mbrojtjen e biodiversitetit

TIRANË, 7 mars /ATSH/ – Parku Detar Karaburun-Sazan, zona e parë dhe e vetme e mbrojtur detare e Shqipërisë, është përfshirë në një projekt 3 vjeçar (2018-2020), të financuar nga qeveria italiane (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim) që synon të mbrojë biodiversitetin, gjendjen e ekosistemit dhe të sigurojë një burim të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit dhe rritjes ekonomike përmes kësaj zone të mbrojtur.
Reduktimi i ndotjes nga veprimtaria njerëzore, ose riciklimi i vajit për gatim, është pjesë e një iniciative shumë të rëndësishme për të mbrojtur dhe ruajtur Gadishullin Karaburun-Sazan. Si një prej komponentëve të projektit, riciklimi konsiston në mbrojtjen e ekosistemit nga një rrezik shpesh i pakonsideruar siç është hedhja e pahijshme e vajrave të gatimit në det, kryesisht nga restorante që shtrihen përreth këtij parku.

PNUD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zbatues të projektit, bëjnë të ditur se, krahas pastrimit nga plastika apo ndotje të ndryshme, që nga qershori i vitit të kaluar, është arritur bashkëpunimi me 24 operatorë ekonomikë (kryesisht hotele & restorante) që operojnë rreth këtij ekosistemi, për të aplikuar grumbullimin e vajit të përdorur të gatimit në depozita të veçanta. Ato asistohen nga kompani të specializuara të riciklimit që i informon ata mbi iniciativën e riciklimit që mbron biodiversitetin e këtij Parku.

Deri tani janë mbi 1800 kg vaj i mbledhur dhe i dërguar në kompanitë e specializuara të riciklimit. Ndërkohë që sensibilizimi dhe puna e palodhur e punonjësve të AKZM, po e shtrin këtë nismë edhe në subjektet e tjera të hoteleri-turizmit, duke i dhënë një frymëmarrje të re mbrojtjes së faunës dhe florës nënujore në Parkun Detar Karaburun-Sazan, që konsiderohet një atraksion i çmuar i këtij parku.

Parkun Detar Karaburun-Sazan, përmban rrënojat e anijeve të lashta greke, romake dhe Luftës së Dytë Botërore. Ky ekosistem i pasur nënujor, me shkëmbinjtë e tij të pjerrët gëlqeror, shpella gjigante dhe plazhet e izoluara, gjithashtu mburret me mbishkrimet e lashta të detarëve në breg.
Natyrisht, kjo bukuri mahnitëse tërheq vizitorë dhe turistë të shumtë nga vende të ndryshme. Ndërkohë që punësimi në këtë rajon, në sektorin e turizmit, peshkimit dhe akuakulturës, vitet e fundit po shënon rritje të konsiderueshme paralelisht me fluksin shpërthyes të turistëve që vizitojnë këtë zonë, perlë të rivierës shqiptare, që ofron mundësi të shëtitjes me varkë, peshkimit, zhytje dhe eksplorimit të botës nënujore. e.xh/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.