Nxënësit e gjimnazeve mbjellin pemë për mësuesit

TIRANË, 7 mars/ATSH/-Nxënësit e gjimnazeve “Ismail Qemali” dhe “Asim Vokshi” zgjodhën t’ia urojnë ndryshe festën e 7 Marsit mësuesve të tyre.

Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ata iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve, por me qëllimin që pemët e mbjella të jenë dhurata e tyre për mësuesit këtë 7 Mars. Kryetari vlerësoi nismën e të rinjve dhe përgjegjshmërinë e treguar për qytetin.

Kjo nismë e bukur, me nxënës që mbjellin pemë kushtuar mësuesve dhe nënave të tyre, do të kthehet në traditë për kryeqytetin. “Një festim i 7 Marsit ndryshe: me lule që ndoshta zgjasin 24 orë apo pemë që zgjasin 24 apo 48 vite? Jam shumë i lumtur që jo vetëm “Ismail Qemali”, por shumë shkolla në Tiranë na janë bashkuar në fushatën e mbjelljes së pemëve. Hera e parë që 7-8 marsin ia kushtojmë me një pemë mësuesve dhe nënave tona dhe besoj që do kemi filluar një traditë që do ta mbajmë çdo vit”, tha Veliaj, teksa vlerësoi se përmes kësaj nisme tregohet edhe qytetaria e vërtetë.

“Unë jam me parimin: Kush është i mirë i bën të gjitha; edhe del mirë me mësime, edhe ka një përkushtim të jashtëzakonshëm në klasë, por fokusohet edhe tek arti, tek kultura, te sporti dhe gjelbërimi. Më vjen mirë që “Ismail Qemali” është ndër më të mirët sot si shkollë në Republikë, jo aq shumë për mësimet, se sa për qytetarinë që i ka të gjithë këto komponentë”, deklaroi Veliaj.

Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Rezarta Alla u shpreh se kjo nismë synon edhe rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për të qenë pranë natyrës. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.