Mbifaturimi në faturën e ujit, qytetari merr zgjidhje pas ankesës në platformë

TIRANË, 7 mars/ATSH-Maela Marini/ Mbifaturimi në faturën e ujit detyroi një qytetar nga Tirana që t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Rasti u paraqit sot në takimin e përjavshëm të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes dhe qytetarët që kanë gjetur zgjidhje menjëherë sapo i janë drejtuar platformës.

Kastriot Zenelaj nga Tirana kishte drejtuar një ankesë në platformë pasi në apartamentin e djalit të tij, në të cilin nuk banonte njeri, në faturën e ujit të muajit dhjetor përveç taksës së shërbimeve, ishte shtuar edhe shuma 3540 lekë për vendosjen e një ujëmatësi të ri ndërkohë që ujëmatësi ekzistues ishte në gjendje të rregullt.

Ai i ishte drejtuar me ankesë shkresore UKT-së dhe nuk kishte marrë përgjigje.

Menjëherë pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, Ujësjellës Kanalizime Tiranë verifikuan se pretendimet e qytetarit ishin të drejta duke bërë sistemimin përkatës të faturës.

Kryeministri theksoi se “ka një përmirësim në shërbimin e administratës, i cili ndjehet diku më shumë, diku më pak”. “Patjetër që presioni i madh që ushtrohet nga qytetarët mbi administratën përmes platformës, luan një rol të rëndësishëm. Ky është qëllimi sepse shumëkush që nuk e kupton se çfarë është platforma dhe përqesh apo ironizon me cinizëm nuk arrin dot të kap thelbin e kësaj lëvizje”, tha Rama.

Gjithmonë ka nevojë për një pikë referimi, tha Rama, duke shtuar se “gjithmonë ka probleme burokratike”. Platforma, sipas tij, luan rolin e rëndësishëm mes qytetarëve dhe qeverisë pa filtra në mes.

“Platforma adreson problemet dhe trajton shkaqet e tyre që mund të kenë të bëjnë me organizimin e brendshëm, apo punonjës të papërgjegjshëm që kanë nevojë të shkunden apo të luajnë si duhet rolin e tyre”, tha Rama.

Çdo javë, shtoi Kryeministri, “ne sjellim këtu raste konkrete të funksionimit të platformës, të bindur se nga instrument presioni, platforma dalëngadalë kthehet në një instrument ndihmës për të pasur administratën që duam”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.