Basha: Bashkë me qytetarët do t’i japim vendit një projekt të ri

TIRANË, 7 mars/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh gjatë një interviste televizive se së bashku me qytetarët do t’i japë vendit një projekt të ri, duke shtuar se duhet të marri fund tranzicioni 30-vjeçar.

“Është një sistem që duhet shembur. Unë bashkë me opozitën dhe qytetaret do t’i japim jetë një projekti të ti ri. Një person nuk duhet të ketë pushtet të pakufizuar. Duhet një Parlament që të garantojë transparencën. Jo thjesht largimin e Ramës, por shembja e këtij sistemi. Ne duhet t’i japi fund këtij tranzicioni 30-vjecar”- tha Basha.

Duke folur për protestën e 16 marsit, Basha u shpreh gjithashtu se synimi i tij nuk është krijimi i barrierave ndarëse, por ndërtimi i urave të bashkimit mes popullit.

“Çështja nuk shtrohet nëse opozita do të hedhë një molotov aty ose këtu, këto janë veprime që i ndërmarrin qytetarët e zemëruar. Unë jam më i interesuar dhe është misioni i një partie politike siç është PD, kësaj radhe nuk është për të krijuar mure ndarëse, por për të krijuar ura bashkimi edhe me socialistë, që e kuptojnë se nuk është koha për të larguar Ramën, por që është koha për të ndryshuar me themele sistemin. Të evidentojmë së bashku, për t’i dhënë formë këtij projekti, pasi ky nuk është thjesht një projekt opozitar, por kombëtar. Nuk mund t’i rezistojë Rama kësaj”, – përfundoi Basha.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.