Standarde të reja në Urgjencën e rikonstruktuar të Infektivit, flasin familjarët e pacientëve


TIRANË 6 mars/ATSH-Z.Tosku/ Ambientet e reja në urgjencën e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë kanë krijuar mundësi për familjarët të presin në kushte të përshtatshme, teksa pacientët marrin shërbimin e nevojshëm mjekësor.

Mjekët dhe infermierët e bëjnë më mirë punën e tyre, pacientët marrin shërbimin e duhur dhe familjarët shprehen më të kënaqur me shërbimin.

“Doktorët të mrekullueshëm. Po më përgjigjen për problemin që kam. Kushtet janë më të mira tani, pastërtia çdo gjë më mirë”, -tha familjarja e një pacienteje. “Erdha këtu. U futëm brenda. Gjithçka i bënë në mënyrë të rregullt, doktori korrekt. Në përgjithësi, shumë në rregull”, -shtoi një tjetër familjar.

Familjarët dhe pacientët kanë vlerësuar kushtet e reja, si dha faktin që tashmë qëndrojnë ne pritje në kushte dinjitoze për të qëndruar pranë familjarëve të tyre. “Në krahasim me parë janë më mirë. Çdo gjë është e pastër”, -u shpreh familjarja.

Shefja e Shërbimit Infektiv në Qendren Spitalore Universitarë në Tiranë, Najada Çomo u shpreh se kjo Urgjencë e re ka krijuar kushte të favorshme për pacientët, familjarët dhe ekipin mjekësor.

“Nuk është thjesht një urgjencë e re që duket bukur nga jashtë. Është një urgjencë e re e cila ka krijuar kushte shumë të favorshme për pacientin në radhë të parë,për personelin mjekësor dhe për aksesueshmërinë nga vendi ku ai merr ndihmë mjekësore për të shkuar në vendin përkatës ku ai do shtrohet  ose për të shkuar në urgjencën polivalente apo në ndonjë spital tjetër. Akses shumë i madh është që pacienti që zbret nga ambulance apo nga makina e vet personale ka akses të hyjë menjëherë në urgjencë pa kaluar në barrikadat e shkallëve dhe të tjera me radhë”, -tha Çomo.

Investimi në urgjencën e re të shërbimit infektiv, përfshin edhe integrimin e qendrës së imazherisë brenda kësaj urgjence, gjë e cila lehtëson pacientët, të cilët tashmë nuk do të sorollaten më në reparte të tjera për një ekzaminim skaneri, grafie apo ekoje si dhe i siguron më shumë mundësi stafit mjekësor të japin ndihmën e nevojshme në kohë dhe me cilësi. Urgjenca e re e shërbimit infektiv ka një kapacitet prej 15 shtretërish, nga 6 që kishte shërbimi i mëparshëm dhe i shërben rreth 40.000 pacientëve në vit. Po kështu, janë krijuar edhe 2 bokse izolimi për sëmundjet ngjitëse, me rëndësi sidomos në këtë periudhë të vitit, me fluks të shtuar pacientësh. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.