Nikolla: PS e hapur për dialog, nuk mund të negociohet vullneti i popullit

TIRANË, 6 mars /ATSH-Megi Zonja/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla e ftuar në një studio televizive u shpreh se “Kryeministri Edi Rama ka qenë gjithmonë i hapur për të vijuar dialogun brenda kornizave Kushtetuese, për të siguruar rregulla loje të barabarta në politike”.

Sipas deputetes së Partisë Socialiste, nuk mund të negociohet vullneti i popullit.

“Fjalët e Bashës, “ ma hodhi, ta hodha” nuk i takojnë një lideri të një force politike. Nuk mund të negociohet ajo çfarë populli ka vendosur me vullnet të lirë. Është e vërtetë që PS dhe Kryeministri janë me dorën e shtrirë për të vazhduar dialogun brenda parive Kushtetuese, për të pasur rregulla loje të barabarta në politikë. Sa më shumë bie popullaritet i LSI dhe PD, aq më shumë rritet fjalori kundër sistemit dhe fjalori për dhunë. Ndërsa ne do vazhdojmë brenda sistemit. Kjo mazhorancë është mandatuar nga populli për të qeverisur, për të bërë të mundur që demokracia të funksionojë. Qeveria po punon dhe po ecën në rrugën e Reformave. Populli nuk është ai që proteston, është opozita që proteston dhe i ka rënë murit me kokë duke djegur mandatet, dhe nuk e di se ku do të dalë”, – theksoi ajo.

Ndërsa ajo ka përjashtuar mundësinë që Presidenti të ulë palët në tavolinë. Sipas saj, Meta e ka humbur besimin.

“Presidenti Meta e ka treguar së fundmi se ka qenë e treta parti e opozitës dhe ai e humbi besimin, sigurinë, për të qenë ai që të ulë palët në dialog. Por jam e sigurt se Rama dhe mazhoranca janë të hapur për dialog për rregulla të barabarta loje, por pushtet në tavolinë nuk ka”, – vijoi Nikolla.

Deputetja e PS gjithashtu është shprehur se ndërkombëtarët u kanë bërë thirrje kandidatëve në listat vijuese të opozitës që të pranojnë mandatet.

“SHBA dhe BE e kanë bërë shumë të qarët qëndrimin e tyre dhe madje u kanë bërë thirrje deputetëve të listës që të marrin punën. Por opozita shkon kundër dhe tregon me forcë se është antieuropiane”.

Ish-ministrja u ndal edhe te prurjet e reja në Kuvendin e Shqipërisë.

“Ne kur kemi konkurruar me listë dhe ata njerëz janë pjesë e asaj liste. Skuadra ime në Lezhe nuk kishte diferenca i pari, apo i fundit. Ata nuk kanë qenë të sinqertë me listën që i janë prezantuar popullit dhe ose nuk kanë qenë të sinqertë me partinë, se kështu po thonë vetë”, – theksoi Nikolla.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.