Nga 400 hektarë me kanabis në 2013, në vitin 2018 rezultuan vetëm 0.8 hektarë

TIRANË, 6 mars /ATSH/ “Kurrë nuk flas kurrë për kundërshtarët e mi në një gjuhë të ndryshme nga ajo e nënës, sepse aty kemi mjaftueshëm”, theksoi kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Porta a Porta” në Rai1 kur iu kërkua të komentonte prononcimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhënë po për këtë emision.

“Po ju përgjigjem juve. Unë sigurisht jam i anshëm, pra nëse them diçka, ajo është e njëanshme. Por, këtu jemi në një vend ku ka dy detaje të rëndësishme për të folur për të vërtetën”, theksoi ai.

“‘Guardia di Finanza’ është një agjenci e madhe, me integritet të padiskutueshëm, që paguhet nga komuniteti europian, që ka ngritur avionët dhe fotografon territorin që nga viti 2012. Faktet tregojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm, pra në vitin 2013 kur ne erdhëm në qeveri, ishin rreth 400 hektarë me plantacione ndërsa në vitin 2018, 0,8 hektarë. Pra, gati asgjë”, theksoi kryeministri Rama.

Së dyti, tha ai, në koment të deklaratave të Bashës,  u fol për prokurorinë e antimafias së Katanias.

“Dhe praktikisht ajo prokurori bëri një hetim mbi një grup trafikantësh shqiptaro-italianë, ku përfshihej në përgjime një prej ministrave tanë të Brendshëm, dhe në fund, e zezë mbi të bardhë, tha se nuk ka lidhje ministri i Brendshëm. Pra janë dy burime zyrtare italiane. I them për të mos hyrë në një debat politik që nuk shërben për asgjë”, theksoi Kryeministri. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.