Homazhe pranë shtatores së Adem Jasharit në Tiranë

TIRANË, 6 mars/ATSH/- I ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini bëri sot homazhe pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari.

“Është një nderim institucional, është një nderim shtetëror që i bëhet veprës heroike, familjes Jashari, komandantit legjendar Adem Jashari. Është një ditë e veçantë për kombin sepse është një ringjallje e Kosovës dhe një ringjallje e kombit. Është dita kur bëhet kthesa më dramatike për historinë dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Kjo ditë na bashkon pa marrë parasysh krahinën dhe rajonin, është dita kur na thërret për bashkim të gjithë shqiptarëve dhe është një referencë jo vetëm për të tashmen, jo vetëm një referencë historike por edhe një referencë për brezat që do të vijnë. Sa herë e kujtojmë këtë dite e dimë rrugëtimin tonë shekullor plot sakrifica”, -tha ai.

Ukshini kreu sot homazhe pranë shtatores së Komandantit të UÇK-ës, Adem Jashari me rastin e 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së. Sipas tij, kjo është një ditë që bën krenar çdo shqiptar. z.tosku/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.