Arvizu: Qeveria me mandat legjitim, djegia e mandateve taktikë e opozitës

TIRANË, 6 mars/ ATSH/“Qeveria e mori pushtetin këtë mandat ashtu siç edhe ndodhi me mandatin e shkuar, në mënyrë shumë legjitime”, u shpreh ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu në një intervistë televizive për “Top Channel”.

“E di që opozita ndihet shumë e frustruar”, tha Arvizu, duke shtuar se  “po të ngrihen pyetje mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 2017, tanimë në 2019, logjika nuk qëndron, nuk bën shumë sens”.

I pyetur për kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore, Arvizu shprehet se “në këtë rast, mua nuk më duket si një veprim i menduar mirë”. “Në një moment të caktuar Perëndimi kishte besim tek z. Basha”, deklaroi Arvizu, i cili më tej shpreh mendimin se një pjesë të mirë të këtij besimi  ka humbur.

“Njerëzit po ndihen të sfilitur dhe disi të depresionuar, dhe mendoj që mbase kjo është e vërtetë dhe për komunitetin ndërkombëtar, dhe kur flasim për Uashingtonin, Brukseli apo miqtë tuaj në vende të tjera të Europës. Të gjithë duan më të mirën por duket sikur i ngjan një déjà vu-je që përsëritet. Dhe mendoj që një problem specifik me strategjinë aktuale të opozitës, që mesa duket quhet djegie e mandateve, duket një sjellje tejet shqiptare. Kurrë nuk e kam dëgjuar këtë më parë. Por ajo që po ndodh duket thjeshtë si taktikë. Është tejet taktike dhe ne mund t’i hyjmë një diskutimi tjetër nëse kjo është një taktikë e mirë apo e keqe. Por me sa duket kjo nuk është e bazuar mbi një strategji. Dhe e gjitha është vetëm taktikë, asnjë strategji taktike, asnjë rrugëdalje”, tha Arvizu.

“Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhja”, tha sih-ambasadori duke shtuar se ka parë nga filmimet sesi një burrë i vjetër djeg gomat para parlamentit. “Nuk jam i sigurtë se çfarë problemi është i presupozuar të zgjidhë”, tha ai.

“Po të ngrihen pyetje mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 2017, tanimë në 2019, nuk e di po logjika nuk qëndron, nuk bën shumë sens. Dhe kur njerëzit thonë se ishin lekë droge, apo çdo lloj paraje tjetër e pisët që ua bëri të mundur njerëzve të zgjidheshin në 2017. Natyrisht mund të debatojmë mbi korrupsioni apo këtë apo atë gjë, por rezultatet e zgjedhjeve ishin shumë të qarta. Në 2017 gjërat ishin konsistente me ato çfarë kishim parë në vitet e fundit. Dhe kjo përfshinte LSI që pati një prezencë të fortë në 2017”, tha Arvizu.

“Të kthehem edhe njëherë te ajo ideja e “djegies së mandateve”, mendoj se, duke marrë parasysh specifikat, është diçka e re, por në aspektin e taktikës së përgjithshme, nuk është aspak e re. Cili është ndryshimi midis djegies së mandatit dhe organizimit të një bojkoti apo të vendosjes se një çadre përpara Kryeministrisë? Janë thjeshtë taktika konfrontuese. Në disa raste, edhe këto janë të nevojshme, por duket sikur situata po përsëritet herë pas here, dhe prandaj, siç e përmenda edhe më parë, populli është i sfilitur dhe i dëshpëruar. Mendoj që edhe ndërkombëtarët janë disi të frustruar. Por, ne kemi interes për Shqipërinë që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe”, theksoi ish-ambasadori amerikan në Tiranë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.