Rama: Mandati ynë nuk është letër bixhozi, opozita kërkon pushtetin në tavolinë

TIRANË, 5 mars/ATSH-Maela Marini/ “Shumica e shqiptarëve na ka dhënë detyrën të qeverisim deri në 2021 dhe mandati ynë nuk është letër bixhozi”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama.

Nga salla e seancave plenare të Kuvendit, Kryeministri Rama tha se opozita kërkon atë që ka kërkuar gjithmonë, të marrë pushtetin në tavolinë.

“Opozita kërkon përmbysjen e rregullave të lojës dhe transformimin e procesit në absurd, duke krijuar edhe një precedent të papranueshëm, jo vetëm për ne, por për çdo partner ndërkombëtar. Një opozitë që kur e sheh që nuk fiton dot, thotë anulim loje dhe djeg mandatet”, tha Rama.

Rama u shpreh se “pas opozitës qëndrojnë grupe interesash që janë mundur në betejën tonë për të bërë shtet”. “Pas tyre qëndrojnë nga grupi i financuesve të bixhozit dhe me radhë grupe të tjera që kanë të drejtën e tyre të jenë të inatosur me qeverinë për humbjen e shumë privilegjeve. Një i humbur i madh me miliona euro në industrinë e bixhozit i qëndronte në krah liderit legjendar, një drejtor i lojërave të fatit ishte dhe është atje, jo vetëm si protestues dhe inkurajues por edhe si menaxher”, tha Rama.

Kjo, sipas Kryeministrit, është zgjedhja dhe lëvizja e tyre dhe nuk i bën dot asnjë gjë qeverisë “. “Nëse ka një zonë që nuk preket nga tymrat dhe nga gjithë këto përpjekje destruktive është kjo zonë, zona e politikës ku jemi shumicë. Gjithçka tjetër preket preket. Preket Shqipëria, sepse e tha bukur tenori i famshëm Sajmir Pirgu: më duhen 200 koncerte për të hequr pamjet e gomës që digjet para parlamentit të Shqipërisë. Sepse nuk kanë kohë njerëzit që shohin në Itali e gjetkë, thjesht rikthejnë fantazmën e vjetër të një Shqipërie që është në kaos, destabilitet dhe nuk ka siguri e mundësi të reja për investitorët e ekonominë”, tha Rama, duke shtuar se investitorët italianë çdo ditë e më shumë janë të interesuar për Shqipërinë.

Kryeministri theksoi se protestat e opozitë dëmtojnë po ashtu edhe konsumatorin shqiptar dhe atë që ka një biznes të vogël. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.