Përfaqësues nga Vlora në Kongresin V Europian të Autoriteteve Vendore në Poloni

VLORË, 5 mars/ATSH-Harilla Koçi/ – Bashkëpunimi shumëpalësh dhe i drejtpërdrejtë midis rajoneve dhe qyteteve evropiane, do të jetë tema ku do të fokusohet vëmendja në Kongresin e Pestë të Autoriteteve Vendore Evropiane, që do të zhvillohet në Krakov (Poloni), ku do të përfaqësohet edhe Vlora me pjesëmarrës nga organizata të shoqërisë civile.

Kongresi i 5-të Evropian i Autoriteteve Vendore, do të mbahet më 8 dhe 9 prill në qytetin e njohur të Polonisë, ku do të jenë të pranishëm rreth 2000 pjesëmarrës, drejtues të qeverisjes lokale dhe elitat rajonale, përfaqësues të administratës shtetërore, botës së biznesit, kulturës, OJF-të, mediet më të njohura të Europës etj.

Sipas organizatorëve, bashkëpunimi shumëpalësh dhe i drejtpërdrejtë midis rajoneve dhe qyteteve europiane në vitet e fundit është zhvilluar në fushat sociale dhe ekonomike deri në atë pikë ku ndikon në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm politikën dhe ekonomitë e vendeve të veçanta, por edhe të gjithë kontinentit. Prandaj edhe në këtë periudhë, përballë problematikave me të cilat përballet Europa në këtë drejtim, qytetet dhe rajonet, konsiderohen si hapësirat që forcojnë unitetin dhe solidaritetin multidimensional. Në këto kushte, Kongresi i 5-të Evropian i Autoriteteve Vendore, vlerësohet si një platform takimi për liderët lokalë dhe elitat rajonale, për të shkëmbyer mendime me administratën publike, OJF-të dhe biznesin.

Në këtë aktivitet të përvitshëm pjesëmarrësit do të diskutojnë çështjet thelbësore ekonomike dhe sociale në më shumë se 60 seanca e panele, blloqe tematike, raporte, panele diskutimi, ligjërata, prezantime dhe pritje.

Mes çështjeve që do të trajtohen gjatë seancave, sipas paneleve respektive, përfshihen ato që lidhen me burimet alternative të financimit të zhvillimit të rajoneve në kontekstin e perspektivës së re financiare të BE-së, “Biznesi dhe pushteti vendor-konflikti ose simbioza?”, “Menaxhimi i projekteve në pushtetin vendor, sit ë shmangen gabimet dhe të sigurohet suksesi”, “Roli i qyteteve portuale në Europën e sotme”, “Bashkëpunimi midis qeverive vendore dhe qendrave të kërkimit dhe zhvillimit”, “Strategjitë rajonale të inovacionit”, “Komoditeti dhe siguria në qytetin e së ardhmes”, “Integrimi i emigrantëve, si lidhen qytetet dhe rajonet me të”, “Roli i qeverisjes vendore në formësimin e tregut lokal të punës”, “Forca e qytetit qëndron tek qytetarët e saj-roli dhe rëndësia e shoqërisë civile”, “Qendrat e qyteteve pa makina”, turizmi në qytetet historike, promovimi turistik i rajoneve etj.

Ky aktivitet zë një vend të veçantë në hartën e ngjarjeve në Poloni. Për dy ditë, qyteti Krakov vlerësohet se do të jetë kryeqyteti i Autoriteteve Vendore. Sipas organizatorëve, krijimi dhe zbatimi i strategjive për të ardhmen në nivel lokal e rajonal, kërkojnë negociata të vazhdueshme dhe zgjedhje të vështira. Çka do të thotë se, dialogu mbetet vendimtar për të minimizuar riskun. Prandaj dhe ky është drejtimi ku duhet të orientohen dhe të fokusojnë aktivitetin e tyre, njësitë vendore, drejtuesit e rajoneve dhe bashkive, duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare, qeverisjen qendrore dhe komunitetin e biznesit.

Organizatori i Kongresit Europian të Autoriteteve Vendore është Instituti për Studime Lindore.

Gjatë viteve të fundit, në edicionet e këtij kongresi është folur për qeverisjen lokale, si një strategji për të ardhmen, qeverisjen vendore dhe rolin e saj në zhvillimin lokal, tek sektorët e turizmit dhe sipërmarrjes turistike, në ruajtjen e mjedisit, inovacion, ekonomi dhe financë, energji të rinovueshme, ekonomi me përqindje të ulët karboni etj. Në dy edicionet e fundit, në këtë kongres kanë marrë pjesë përfaqësues nga bashkia e Tiranës dhe bashkia Vlorë, nga Universiteti “Ismail Qemali”, Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.