Margariti: Shumë pranë ngritjes së Muzeut unikal të hebrenjve

TIRANË, 5 mars /ATSH/ – Ministrja e Kulturës. Elva Margariti pati një takim të veçantë me veprimtaren e shquar të diasporës shqiptare në Izrael, Felicita Jakoel, fituese e Shqiponjës së Artë në Samitin e Diasporës dhe Ambasadore e Diasporës dhe juristin Agron Alibali për një histori unike, për një popull që shpëtoi falë të drejtës zakonore shqiptare, quajtur BESA, apo më bukur akoma, “N’dorën tande” si thirrje e ardhur nga Qielli.

”Diskutuam për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, një nga inspektimet e mia të para në zonën e Qendrës Historike, Vlorë, e cila po ndryshon nga dita në ditë. Ministria e Kulturës mbetet e angazhuar në një mbështetje institucionale për këto nisma që evokojnë përvojën thuajse unikale të shqiptarëve për shpëtimin dhe ruajtjen e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Me juristin Agron Alibali diskutuam për nismën private dhe të pavarur të një grupi aktivistësh shqiptaro-hebraiko-amerikanë për kthimin në atdhe të trashëgimisë bibliotekare dhe arkivore të albanologut të shquar, Norbert Jokl”, u shpreh ministria e Kulturës Elva Margariti për këtë takim.

”Ka ardhur koha të vendosim në vend amanetet. Amanete që na mbërrijnë nga veprimtarja e shquar, Johanna Gerechter Neumann, familja e së cilës erdhi në Shqipëri pikërisht 80 vjet më parë dhe ishte një nga mijëra familjet hebre të shpëtuara. Trashëgimia e Joklit në tërësi ende mbetet e pakthyer”, tha Margariti.

”Jemi vetëm në fillim të punës, por me veprimtare si Znj, Jakoel Kryetare e Shoqatës Izrael-Shqipëri, e cila ka folur në qindra aktivitete në mbarë botën për rolin e Shqipërisë gjatë Holokaustit jemi shumëpranë ngritjes së Muzeut Unikal të Hebrenjve në Shqipëri”, përfundoi ministria e Kulturës Elva Margariti. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.