Incidentet gjatë protestës së opozitës, Policia e Shtetit shoqëron disa persona

TIRANË, 5 mars/ATSH/ – Policia e Shtetit ka arrestuar 8 persona dhe 9 të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë për aktet e dhunës në protestën e sotme përballë Parlamentit.

Policia e Shtetit bën me dije se “sot rreth orës 10:30, në rrugën “George W. Bush”, para godinës së Parlamentit ku po zhvillohej seanca plenare, subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste per Integrim kanë zhvilluar një tubim. Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse (gurë, shkopinj, fishekzjarrë etj, punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim në ambientet përreth Kuvendit të Shqipërisë. Pas analizimit të pamjeve filmike, raport-shërbimeve dhe provave të tjera të mbledhura gjatë protestës, është bërë arrestimi në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i 8 shtetasve: – N.C., 36 vjeç, banues ne Sukth, Durrës (i dënuar më parë për vjedhje dhe drejtim mjeti pa leje drejtimi); – A. M., 23 vjeç, banues në Tirane (i dënuar më parë për vjedhje); – E. C., 33 vjeç, banues në Burrel; – L.D., 37 vjeç, banues në Burrel (i dënuar më parë për vjedhje); – A.P., 23 vjeç, banues në Tirane; – M. N., 31 vjeç, banues në Kamëz; – L. B., 41 vjeç, banues në Gramsh; – E.G. 36 vjeç, banues në Lezhë. Janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” edhe 9 shtetas të tjerë. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar kapsolla, doreza, kapuç, maska, pjesë metalike, flakadanë, etj. Vazhdon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë aktiv, të përfshirë në veprime të kundraligjshme gjatë protestës së ditës së sotme”, thekson Policia e Shtetit.

Policia thekson gjithashtu se organizatorët e protestës janë përgjegjës për plotësimin e kushteve që parashikon ligji, duke shtuar se mbetet e vendosur për zbatimin e ligjit, në interes të sigurisë dhe garantimit të rendit.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.