“Fox News” pasqyron protestën: Opozita nuk merr parasysh thirrjet nga BE

TIRANË, 5 mars/ATSH/ – Protesta e opozitës para Kuvendit të Shqipërisë është pasqyruar edhe nga media amerikane “Fox News” e cila thekson në artikullin e saj se opozita nuk po bindet për të pranuar një dialog të ofruar tashmë nga Kryeministri Edi Rama, duke mos dëgjuar gjithashtu edhe apelin e faktorin ndërkombëtar për t’u ulur në bisedime.

“Protestues, mbështetës të opozitës kanë rrethuar sot Parlamentin, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Opozitarët akuzojnë kabinetin qeveritar për korrupsion dhe lidhje me krimin. Ndërtesa e Parlamentit në Tiranë u rrethua sot nga qindra policë dhe me tela me gjemba. Opozitarët dhanë dorëheqjen duke lënë mandatet e tyre. Tubimet e kohëve të fundit janë shoqëruar me flakë, djegie gomash dhe hedhje të sendeve, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës. Opozita nuk ka marrë parasysh thirrjet nga BE, organizatat amerikane dhe ndërkombëtare për të pranuar bisedime, dialog me rivalët politikë. Socialistët drejtojnë vendin me Kryeministrin Edi Rama. Ata kanë 74 vende në parlamentin me 140 vende. Shqipëria aspiron të çelë këtë qershor negociata e anëtarësimit me Bashkimin Europian”, thekson “Fox News”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.