Balla: PD i trembet Reformës në Drejtësi

TIRANË, 5 mars/ATSH/ – Kryetari grupit parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se vendi nuk është në krizë politike apo institucionale, madje ai shtoi se Kuvendi vijoi sot normalisht punën, ku u betuan dhe katër deputet të rinj, që vijnë nga opozita, protesta e të cilës sipas tij po zbehet.

“Nuk bëhet fjalë për krizë politike, nuk di se ku e gjeti Presidenti krizën Kushtetuese institucionale. Krizë është kur institucionet nuk funksionojnë, por kuvendi është funksional. Sot 4 deputetë të opozitës kanë marrë detyrën. 6 kandidatë të tjerë, 3 nga PD dhe 3 nga LSI kanë dorëzuar dokumentacionin për ligjin e dekriminalizimit. Opozita po zëvendëson përfaqësuesit e vet. Sot në Kuvend është kthyer vota kundër, institucion në demokraci”, tha Balla i ftuar në në një studio televizive.

“Edhe sot kuvendi shumë normalisht vijoi axhendën intensive të integrimit të Shqipërisë në BE, kishim dy marrëveshje të rëndësishme që e përfshijnë Shqipërinë me vendet partnere në kuadër të këtij procesi. Se çfarë ndodh në oborrin e jashtëm të Kuvendit, është diçka që po vjen në zvenitje të përditshme, besoj se maksimumi dhe dy tre herë do ndodhë”, – u shpreh Balla.

Duke folur për çështjen e integrimit, Balla tha se një nga kushtet më të rëndësishme është dhe Reforma Zgjedhore e për këtë sipas Ballës, mund të gjendet gjuha e përbashkët me deputetët e rinj që po hynë në Kuvend.

“Gjithmonë Shqipëria ka pasur disa detyra për të adresuar sa i takon integrimit. Një pikë e rëndësishme është e lidhur me adresimin për çështjen zgjedhore dhe që unë mendoj se drafti i dakordësuar tërësisht me ish-grupin parlamentar të PD-së, jam i sigurt dhe me ata që do të vijnë, dhe të tjerë që mesa duket do të ketë, besoj duhet të jetë drafti që duhet të ketë dakordësinë për t’u miratuar, drafti i Reformës Zgjedhore. Një ndër pikat e saj është edhe depolitizimi i komisionerëve”, – u shpreh Balla.

Balla më tej tha se frika e PD është Reforma në Drejtësi.

“Lulzim Basha ka një inflacion të akuzave që lëshon dhe ajo që unë them është që prokuroria të vijoi hetimet. Por do të ishte donkishoteske dhe dilentatizëm që PD të vijoi në këtë rrugë. Sot PD, krahasuar me 30 ditë më parë është me diferencë të madhe në humbje në syrin e qytetarëve, pasi duke goditur imazhin e vendit, institucionet, duke e bërë vendin objekt të lajmeve negative botërore ka ndikuar totalisht te turizmi, te ekonomia shqiptare dhe ka ndikuar tek mëndja e çdo familje shqiptare, duke i sjell më shumë stres te hallet e përditshme, ka ulur konsumin e e konsumatorëve dhe ka sjell pra, ulje të qarkullimit të parasë”, tha Balla.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.