Angazhim për mbështetjen e veprimtarëve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut

TIRANË, 5 Mars /ATSH/ – Për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë përmes një rezolute do të angazhohet për mbështetjen e veprimtarëve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Nën/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi duke folur në Kuvend gjatë shqyrtimit të Projektrezolutës “Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë”, tha se, deputetët e rinj të opozitës janë me fat që pikërisht në seancën e parë të diskutohet projektrezoluta për për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Kjo, theksoi Hysi, “pasi projektrezoluta ka të bëjë jo vetëm me njohjen dhe mbështetjen e veprimtarëve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por edhe me angazhimin tonë si parlamentar për të mbrojtur çdo njeri, grup shoqëror, apo organizatë që lufton për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Prandaj prania juaj si deputetë të opozitës do të ishte me rëndësi për promovimin e veprimtarëve të të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.