Pezullohet aktiviteti i 12 guroreve në Krastë-Vrion, në malin e Krujës

TIRANË, 4 mars /ATSH/ – Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi së bashku me përfaqësues së tre ministrive organizuan sot një dalje publike në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për guroret ku u pasqyruan rezultatet dhe masat respektive për to.
”Për një nga zonat më të bukura turistike dhe historike  për zonën e malit të Krujës, me propozimin e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave i dt 26.07 2018 për ta shpallur këtë zonë, “Peizazh natyror të Mbrojtur”. Në zbatim të këtij vendimi të marrë në vitin e Skënderbeut dhe që shkon në përputhje të angazhimit  dhe përpjekjeve tona maksimale  për rritjen e turizmit, përmirësimin e imazhit të zonave turistike, të krijimit të të gjitha kushteve që aktivitetet industriale të jenë në ekuilibër me aktivitetin turistik dhe peizazhin e mbrojtur, sot jemi këtu për të deklaruar përfundimin e kontrollit masiv që kemi bërë në këtë zonë”, tha Klosi.
”Kjo përpjekje shkon në përputhje të plotë me strategjinë tonë të deklaruar prej dy vjetësh tashmë “Clean and Green 2020” apo “Pastrojmë Shqipërinë që duam” si një përpjekje që kërkon të realizojë uljen e ndotjes dhe disiplinimin brenda rregullave dhe kuadrit ligjor të aktiviteteve që kanë ndotur Shqipërinë në më shumë se 3 dekada. Dhe zona për të cilën po flasim është pikërisht një nga këto zona. Për 30 vjet është shfrytëzuar pa asnjë kriter dhe pa u përputhur aspak me kushtet mjedisore natyrore dhe po ashtu me të gjitha kushtet e tjera që kërkon zbatimi i ligjit. Të zhbësh dëmet e shkaktuara Mjedisit në këto dy dekada është një sipërmarrje jo e vogël, por nuk është as e pamundur nëse të gjithë bëjmë detyrën dhe më shumë se kaq të gjithë si shoqëri kuptojmë se ndotja e Mjedisit, ndotja e jetës së fëmijëve tanë, ndotja e jetës së qytetarëve, dëmtimi i ekonomisë, dëmtimi i imazhit, dëmtimi i turizmit janë janë gangrena që të shoqëron këtë periudhë tranzitore të shoqërisë sonë”, u shpreh Klosi.
Klosi shtoi se, ”që si ministër i qeverisë së Edi Ramës, kryeministër i cili ka marrë vendimin për të ngritur këtë grup pune, të falenderoj të gjitha grupet e kontrollit të cilët kanë ushtruar një veprimtari të plotë në gjithë këtë periudhe tranzitore të kontrollit të të gjithë aktivitetit të guroreve”.
”Kjo task forcë e përbërë nga përfaqësues të ministrisë së Infrastrukturës, Financave, të Brendshme dhe padyshim ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit kishte objektiv të punës së saj, objektivin e zbatimit të kërkesave dhe standarteve ligjore  lidhur me veprimtarinë për shfrytëzimin minerar brenda territorit Krastë-Vrion, ose në gjuhë teknike të gjitha guroreve të cilat janë në malin e Krujës. Pas një periudhe 1 mujore, të inspektimit dhe të kontrollit të gjetjeve paraprake, task forca, i ka propozuar të 4 ministrave respektivë masën e revokimit të aktivitetit për 12 subjektet e fundit që kishin ngelur dhe ushtronin aktivitetet në zonën e malit të Krujës. Task forca dhe 4 institucionet u organizua në kontroll dhe inspektim sipas fushave përkatëse të gjithë institucioneve tona dhe kompentencave tona të cilat me ligj i kërkohen këtij institucioni”, vijoi Klosi.
”Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, ka verifikuar respektimin e koordinatave të lejeve minerare,investimet e kryera nga subjektet në zbatim të kushteve minerare, pagesat e garancisë për rehabilitimin mjedisor, investimet e kryera për rehabilitimin mjedisor, sigurinë e sistemit të transportit, transmetimit të linjave të tensionit të lartë. Ministria e Mjedisit nëpërmjet Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit ka verifikuar procedurat e heqjes nga fondi pyjor, masat e marra për rehabilitimin mjedisor të karrierave të shfrytëzuara të këtyre guroreve, menaxhimin e mbetjeve të gjeneruara nga procesi i shfrytëzimit, masat e marra për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, masat e marra për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja, mospërhapja e këtyre ndotjeve në rrugë nacionale nëpërmjet mjeteve të transportit të inerteve, respektimin e standardeve për mbrojtjen nga zhurmat dhe ndotjen akustike, respektimin e standardeve lidhur me shkarkimet e lëngta dhe trajtimin e ujërave të ndotur, respektimin e koordinimit të lejes së mjedisit”, theksoi Klosi.
Ai vijoi se, “kërkesat e legjislacionit për zonat e mbrojtura. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kryer inspektimet e saj në kontrollin dhe detyrimin e subjekteve, pagesat e tatim taksave, kontrollin e sigurisë në punë, pagesat e sigurimeve shoqërore për punonjësit si dhe problematika të tjera që kanë lidhje me këtë ministri. Po ashtu Ministria e Brendshme realizoi kontrollin e transportit të lëndëve inerteve dhe sigurisë rrugore, zbatimin e kushteve të mbrojtjes nga zjarri si dhe verifikoi në mënyrë të plotë përdorimin e lëndëve plasëse në këtë zonë që është e populluar kaq shumë nga të dy qytetet, Fushë -Krujës dhe Krujës,por që të paktën në vitin e kaluar është vizituar nga 320 mijë turistë të huaj dhe vendas”.
”Biznesi i guroreve të kuptojë se ka ardhur koha që në zbatim të legjislacionit dhe të vendimarrjes së përbahkët të institucioneve tona, tashmë ka ardhur një kohe të re e cila do të ushtrojë kontroll në të gjitha guroret në shkallë vendi, duke e shënuar atë si një nga masat më të forta që ne kemi për mbrojtjen e mjedisit dhe peizazheve tona të mbrojtura”, tha Klosi.
”Për kompanitë të cilat ushtronin aktivitetin në zonën e malit të Krujës, është propozuar nga Ministria e Energjitikës një pozicion tjetër për të vazhduar aktivitetin pasi kuptojmë dhe mendojmë që ky biznes të vazhdojë por natyrisht shumë më tepër nën kujdesin dhe kontrollin e vazhdueshëm të institucioneve shtetërore dhe zbatimin e plotë të masave teknike për funksionimin e këtij aktiviteti”, përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedist Blendi Klosi. /a.a/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.