Pakti për Universitetin, Akademia e Sigurisë përfshihet në programin e rindërtimit

TIRANË, 4 mars/ATSH-Maela Marini/ Në kuadër të Paktit për Universitetin, Akademia e Sigurisë do të përfshihet në programin e madh të rindërtimit.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Sigurisë me rastin e nisjes të shkollës bazë të Policisë dhe kursit për oficerë të Policisë Kriminale.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje faktin se “kjo Akademi është rikthyer në jetë pas një dekade braktisje dhe mbyllje, por ka nevojë akoma për mbështetje”.

Kryeministri u shpreh se ne do të financojmë në bazë të një projekti, ashtu si në të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të universiteteve.

“Ne do të financojmë çdo projekt që drejtuesit e Akademisë, bashkë me ministrin dhe Ministrinë e Brendshme si mbështetës kryesor të kësaj Akademie do të vënë në dispozicion të programit. Një projekt ambicioz që plotëson të gjitha nevojat e infrastrukturës”, tha Rama.

Ai u shpreh se ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e kësaj Akademie ku ka mungesa të ndjeshme në laboratorë shkencore dhe mjetet didaktike.

Të gjitha këto, tha ai, do të përfshihen në programet e financimit, me urimin që sot një vit më vonë, Akademia të jetë një kantier i madh ashtu si gjithë rrjeti i universiteteve. Ne do të bëjmë transformim epokal nga kjo pikëpamje”, tha Rama.

Ai garantoi të gjithë ata djem dhe vajza që kanë ambicien për të veshur këtë uniformë të shenjtë të shtetit, se qeveria do të mbështesë me investime të mëdha, për t’ju dhënë maksimumin e kushteve. j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.