MBZHR dhe OKB, 5.7 milionë dollarë për rritjen ekonomike, punësimin dhe bujqësinë  

TIRANË, 4 mars /ATSH/- Nënshkrimi i planit të përbashkët të punës mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) parashikon financimin me 5.7 milionë dollarë për “Rritjen ekonomike, punësimin dhe bujqësinë” për periudhën 2019-2020.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi u shpreh se, “plani i përbashkët i punës në lidhje me “Rezultati3 – Rritja ekonomike, punësimi dhe bujqësia” 2019- 2020, përmbledh një seri ndërhyrjesh që Agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara së bashku me Qeverinëdo të zhvillojnë gjatë periudhës 2019-2020. Ky plan parashikon ndërhyrje në masën 5.7 milionë dollarë”.

Sipas tij, fokusi është në rritjen e investimeve të huaja; rritjen e konkurrencës në sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik në vend të shoqëruar me orientimin për integrimin në tregjet e BE dhe gatishmërinë për hapjen e negociatave. 
Ende sot, theksoi Çuçi, pjesa më e madhe e popullsisë jeton në zonat rurale. Ne duhet të ndërmarrim ato politika që frenojnë largimet nga fshati përmes uljes së varfërisë në këto zona. Ndërsa me rëndësi për ministrinë që unë drejtoj, tha ai, janë ndërhyrjet në fushën e zhvillimit rural dhe uljes së varfërisë duke u fokusuar në zhvillimin e strategjive të barazisë gjinore dhe strategjive për reduktimin e varfërisë,  duke përfshirë rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohjen e rolit kryesor të grave në bujqësi dhe ekonominë rurale.  
Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale nëpërmjet diversifikimit të të ardhurave do të fokusohet tek turizmi rural, masat e programit IPARD II (financuar nga BE) dhe Axhendes 2030 nga UN Women dhe FAO. Përmirësimi i konkurrueshmërisë ne sektorin e bujqësisë përmes përmirësimit te standardeve të cilësisë dhe sigurisë së produkteve (si për produktet tradicionale ashtu edhe ato të orientuara nga eksporti) do të rrisin të ardhurat rurale dhe do të mbështesin Qeverinë për uljen e deficitit tregtar bujqësor”- tha ministri. 
Ai vuri theksin se, krijimi i një programi të integruar të zhvillimit rural “100 fshatrat” i cili mbështet nga katër Ministri kryesore dhe Zyra e Kryeministrit, merr një vlerë të rëndësishme dhe mbështetet nga OKB.  
“UNDP do të ofrojë mbështetje për bashkitë me qasje në zhvillimin rural përmes zhvillimit të kapaciteteve, përmirësimeve të aftësive dhe shërbimeve të punësimit në zonat rurale të përafruara me programin qeveritar “100 fshatrat”, tha ai. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.