Incidentet në ndeshjen me “Laçin”, në pranga presidenti i “Kamzës”

TIRANË, 4 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Policia arreston në flagrancë 4 shtetas për ngjarjen e ndodhur në ndeshjen e futbollit “Kamza – Laçi”

Sipas Policisë, shërbimet e policisë së komisariatit të policisë Nr 5, falë reagimit të shpejtë dhe në kohë bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasve:  N.Q., President i Klubit Kamëz; A.M., Drejtor Sportiv i Klubit Kamëz; A.B., Shefi i Klubit Sportiv Kamëz; E.Gj., tifoz.

Gjithashtu nga verifikimet e bëra rezulton se si autorë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit të ndeshjes, dyshohet se janë dhe shtetasit: B.Q., A.Q., A.Q. dhe K.Q., tifozë, të cilët janë shpallur në kërkim policor. Arrestimi i 4 shtetasve si dhe shpallja në kërkim e 4 të tjerëve u bë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.

Policia sqaron gjithashtu se, rreth orës 14.00 të së dielës është zhvilluar ndeshja e futbollit “Kamza – Laçi”. Këtë ndeshje Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë nuk e ka marrë përsipër, pasi nuk janë zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë sipas përcaktimeve të ligjit “Për Sportin”.

Megjithatë Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë për sigurimin e rendit e sigurisë publike jashtë ambienteve të stadiumit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, hartoi plan masash. Kjo ndeshje është marrë përsipër për sigurimin e nga SH.R.S.F. “Oktapus 1 Security”, të cilët kanë qenë në stadium me 12 efektiv të saj.

Në përfundim të kësaj ndeshje një punonjës i SH.R.S.F., i cili ishte në hyrjen kryesore të stadiumit hapi portën dhe kërkoi ndihmën e policisë, pasi disa tifozë kishin hyrë në fushë dhe kishin goditur arbitrin dhe punonjësit e SH.R.S.F-së.

Pas këtij njoftimi shërbimet e planifikuara me shërbim sipas urdhrit të shërbimit, janë futur në ambientet e stadiumit, duke bërë të mundur marrjen në mbrojtje të gjyqtarëve dhe vendosjen e rendit e qetësisë, duke vazhduar me shoqërimin e personave të futur në fushë dhe ata të cilët kishin goditur gjyqtarin e ndeshjes.

Në lidhje me sqarim e kësaj ngjarje janë shoqëruar edhe 14 shtetas të tjerë. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë shoqërimet si dhe veprimet hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë personave përgjegjës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.