FOTO/ Veliaj: Ermal Meta, shembulli dhe produkti më dinjitoz shqiptaro-italian

TIRANË, 4 mars /ATSH/ – Pas suksesit të një viti më parë, Ermal Meta rikthehet me një tjetër koncert në Tiranë. Të gjithë adhuruesit e zërit të kantautorit të mirënjohur shqiptar kanë mundësi ta ndjekin sot në mbrëmje nga afër në Pallatin e Kongreseve, ku Ermal Meta do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, si vijim i turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

Para koncertit të sotëm, kantautori u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mbolli edhe një pemë.

Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një super shfaqie te Pallati i Kongreseve. Veliaj vlerësoi kantautorin dhe e cilësoi atë si shembullin më dinjitoz shqiptaro-italian.

“Jam entuziast për faktin se sapo mbaruam Samitin e Diasporës dhe kur flasim për ambasadorë të Shqipërisë dhe për njerëz që na bëjnë të ndihemi krenarë, Ermali është i pari që më vjen në mendje. Jam sot shumë i lumtur, që si ambasador i Shqipërisë në një Itali që gjithmonë e më shumë ka debate për të huajt, për ata që kanë ndoshta bindje të ndryshme, për ata që kanë opinione të ndryshme, unë besoj se Ermali është shembulli dhe produkti më dinjitoz shqiptaro-italian”, tha Veliaj.

Artisti Ermal Meta vlerësoi ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj. “Kjo është shtëpia ime, është Shqipëria, edhe kthehem gjithmonë me shumë emocione. Faleminderit shumë! Qyteti më duket jashtë mase i bukur, më pëlqen ndjenja që gjej rreth e rrotull, e kjo është mbi të gjitha për punën e mrekullueshme që ka bërë Erioni në këtë qytet”, deklaroi Ermal Meta.

Në koncertin e sotëm para publikut shqiptar, do të bëhen bashkë një sërë instrumentesh muzikore si violë, violinë, violinçel dhe flaut. Ritmi dhe muzikaliteti i këtyre instrumentistëve, do ta bëjnë edhe më të gjallë muzikën e kantautorit shqiptar. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.