Ansambli folklorik “Tirana”, dy koncerte në teatrin Metropol

TIRANË, 4 mars /ATSH/ – Ansambli folklorik ”Tirana” do të vijë me dy koncerte në teatrin Metropol. Në kuadër të festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” mbrëmjet e datave 8 dhe 9 mars, artistët do të përcjellin krijimtarinë e pasur folklorike për publikun.

Ansambli me dy koncertet do të jetë në skenë edhe si pjesë e programit të festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu”, që përbëhet nga një përzgjedhje artistike e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë Mesdhetare.

Për këtë arsye përpos emrit kryesor, festivali do të ketë dhe nënshkrimin “A Mediterranean Tale/ Përrallë Mesdheu”. Si i tillë ky program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt si një formë për të vlerësuar dhe dialoguar me kulturat që na rrethojnë nëpërmjet muzikës.

Pak mbi Ansambli folklorik ”Tirana”…

Ansambli folklorik ”Tirana” është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i ansamblit folklorik ”Tirana” është i pasur dhe përfshin të gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Ansambli ”Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin.

Ansambli ”Tirana” është një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë. Ansambli ka në përbërjen e tij 22 valltarë, 5 orkestrantë dhe 2 këngëtarë. Në repertorin e këtij ansambli përfshihen një grup vallesh, një seksion instrumental, dhe një regjistër të solistëve dhe këngëtarë ansamblit. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. /a.a/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.