Akademia e Sigurisë hap dyert për studentët e ekselencës, Rama: Ripërtëritje e Policisë

TIRANË, 4 mars/ATSH-Maela Marini/ “Për herë të parë hyn në fuqi praktika e hapjes së dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të ekselencës nga fakultete të ndryshme, që i bashkohen Policisë së Shtetit”.

Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua sot eventi “Në nisje të Shkollës Bazë të Policisë dhe kursit për oficerë të Policisë Kriminale”.

I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se, ata do të sjellin dije dhe energji të reja dhe mbi të gjitha një kulturë të re.

“Këta 52 studentë që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe nisin kursin e specializimit në këtë Akademi do t’i bashkohen një procesi jashtëzakonisht delikat, të vështirë, por edhe të rëndësishëm të ripërtëritjes dhe fuqizimit të Policisë Kriminale”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi faktin se, Policia Kriminale është ajo pjesë e Policisë së Shtetit, ku nevoja për dije dhe rritje të kapaciteteve dhe nevoja për të përmbushur një vakum të trashëguar prej shumë vitesh është në rendin e ditës.

Për herë të parë, tha Rama, Policia e Shtetit bën një thirrje në adresë të studentëve të ekselencës edhe si angazhim i qeverisë në kuadrin e Paktit për Universitetin, që u mundëson studentëve akses të drejtpërdrejt në punësim.

“Në fund, këta 52 studentë që do të përfundojnë universitetin me rezultate të larta do të jenë oficerë policie me gradën e nënkomisarit. Ata u përzgjodhën nga 589 aplikantë si më të mirët, ndërsa u konfirmua edhe njëherë vullneti ynë për të garantuar meritën, pa parë mbiemrin, tarafin, xhepin apo partinë. Ky është një proces që do të rihapet për studentët me rezultate të larta në shtator të këtij viti për të vijuar me rifreskimin e trupës policore”, tha Rama, duke vlerësuar faktin se në këtë proces është vendosur dhe një standard i ri, ai i njohurive mbi gjuhën angleze.

Rama tha se, “ripërtëritja gjeneracionale është një sfidë e jashtëzakonshme e Policisë së Shtetit”.

“Kjo Akademi u braktis dhe faktikisht u mbyll për vite të tëra dhe tanimë ka filluar të japë kontributet e para në këtë ripërtëritje, duke nxjerrë edhe kuadrot e parë pas rivënies së saj në punë. Sot, 230 studentët që kanë nisur shkollën bazë të Policisë së Shtetit do t’i përkasin patrullës së përgjithshme pas përzgjedhjes së tyre në konkurs transparent dhe pakontestuar”, tha Rama. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.