Ibrahimi: 8 shtyllat bazë të Master-Planit për përmirësimin e infrastrukturës në burgje


TIRANË, 3 mars /ATSH/- Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ekspertët e huaj ka përcaktuar 8 shtyllat bazë të Master-Planit 4-vjeçar për përmirësimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë në burgje e deri tek punësimi dhe integrimi i të dënuarve në shoqëri.

Në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Edis Ibrahimi këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, tha se “Master-Plani ka përcaktuar për një periudhë 4- vjeçare objektivat kryesorë që synojnë përmirësimin e sistemit të burgjeve në vendin tonë. Në bashkëpunim edhe me ekspertët e huaj kemi hartuar planin e veprimit me objektiva  të qarta ku parashikohen edhe kostot për çdo ndërhyrje”.

Sipas tij , ky plan ka 8  shtylla bazë që fillojnë nga përmirësimi infrastrukturës dhe deri tek trajtimi  i stafit, por edhe rehabilitimit dhe integrimi i të dënuarve në shoqëri.

“Po synojmë të fusim punësimin në sistemin e burgjeve si dhe të rrisim kapacitetet e stafit, çështje për të cilën parashikojmë të ngremë Qëndrën e Trajnimit në drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Plan tjetër është edhe rritja e kontrollit të brendshëm në burgje me qëllim reduktimin e korrupsionit në këto institucione”- tha ai.

Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij masterplani, vijoi Ibrahimi, është edhe përmirësimi i legjislacionit. Aktualisht jemi në momentin e rishikimit të ligjit për policinë e burgjeve, për të drejtat e të dënuarve dhe shërbimin e provës.

Ndërsa tha se, “kemi pasur disa projekte pilot për punësimin e të burgosurve dhe tani po shohim mundësinë që të lidhimin këtë kategori të dënuarish me biznese por edhe të krijojmë lehtësira, që kur të dalin nga burgjet të kenë mundësi integrimi në shoqëri”.

Ibrahimi shpjegoi se, në aspektin e sigurisë së burgjeve, po merren masa për përshtatjen e plotë të ambienteve sipas standardeve ndërkombëtare. “Për këtë po mbështetemi nga sistemi britanik. Ndërsa do të instalohen aparatura që ndalojnë sistemin e valëve telefonike dhe kjo do të kryhet fillimisht në burgjet e sigurisë së lartë e më pas në të gjitha burgjet e tjera dhe parashikojmë që sistemi i kontrollit përmes kamerave në burgje, të lidhet me sallën operative qendrore”-theksoi Ibrahimi.

Sipas tij, ndërtimi i burgut të Shkodrës ka zeruar mbipopullimin në burgje. Ndërsa po merren masa për përmirësimin e infrastrukturë së brendshme në ambientet e vuajtjes së  dënimit. Ndërsa në bashkëpunim me zyrat e punës po zhvillojmë kurse profesionale me të miturit e dënuar, me qëllim integrimin e përshpejtuar të tyre në shoqëri. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.