Bashkia e Vlorës apel qytetarëve: Denonconi abuzuesit që ndotin territorin

TIRANË, 3 mars/ATSH/- Bashkia e Vlorës i bën thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë rastet e abuzuesve, që ndotin territorin e qytetit bregdetar.

Gjatë një inspektimi në zonën e Pyllit të Sodës, punonjësit e bashkisë së Vlorës kanë konstatuar hedhje të mbeturinave të industrisë së përpunimit të peshkut.

“Të vetëm nuk mundemi, por të gjithë së bashku ja dalim të mbajmë territorin sa më pastër nga abuzues që shpërdorojnë ambientin e Pyllit të Sodës”, bën të ditur bashkia.

Bashkia e Vlorës i bën apel qytetarëve se për çdo rast që konstatojnë për hedhjen e mbeturinave apo ndotjen e ambientin të raportojnë, pasi kështu mund të parandalohen ndotësit e ambientit.

Pylli i Sodës shtrihet në vijën bregdetare me një gjatësi prej 7 kilometrash, që nga fundi i plazhit të Vjetër dhe deri në fund të pyllit të Sodës në afërsi të fshatit Zvërnec./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.