Shërbim brenda 24 orëve në Hipotekë, flasin qytetarët


TIRANË, 1 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/- “Fast Track”, ose shërbimi i shpejtë për 24 orë, mundëson që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë brenda ditës një listë me 9 shërbime, më të kërkuarat dhe që zënë rreth 40% të volumit të punës në hipotekën e Tiranës.

Këto shërbime më parë ofroheshin nga 4 deri në 8 ditë pune, ndërsa prej nëntorit mjaftojnë 24 orë. Prej nëntorit të shkuar ky shërbim ofrohet në dy sportele (sporteli 9-10) të dedikuara në ADISA, në kryeqytet, ku qytetarët mund të shkojnë për të aplikuar dhe marrin shërbimin përmes Postës Shqiptare.

Agjencia Telegrafike Shqiptare zhvilloi të premten një vëzhgim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës lidhur me shërbimin “Fast Track”.

Qytetarët u shprehën tejet entuziast, madje disa prej tyre shtuan se ky shërbim bën mirë edhe për shëndetin.

“Është një shërbim i mrekullueshëm. Mbaron punë menjëherë. Nuk ka radhë, nuk ka stres dhe brenda 24-orëve na vjen me postë në shtëpi përgjigja dhe dokumentacioni i kërkuar. Unë për shembull kërkoj të marrë vërtetimin e kartelës së pasurisë për të zhbllokuar një kredi në bankë dhe përmes këtij shërbimi kam mundësi të kryej punë shpejt. I këshilloj të gjithë qytetarët të përdorin këtë shërbim, pasi bën mirë për shëndetin, largon stresin”, tha një zonjë.

Përfaqësuesja e një sipërmarrjeje u shpreh se përmes këtij shërbimi është rritur efikasiteti në sipërmarrjen që ajo përfaqëson.

“Unë jam e detyruar të kalojë shpesh te zyra e regjistrimit të pasurive. Përfaqësoj një sipërmarrje që merret me transferimin e titujve të pronësive të paluajtshme dhe “Fast Track” për mua është një mënyrë mjaft efikase për të zgjidhur ngërçet që hasim. Tashmë koha ime ka vlerën që meriton”, tha ajo për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Një zotëri u shpreh se përmes këtij shërbimi “ka hequr dhimbjen e kokës”. “Nuk kemi më stresin e radhës. Shikojeni, dorëzon dokumentin dhe procedura përfundon menjëherë. Unë kam problemin e kartelës së pasurisë, më duhet ta dorëzojë në bankë dhe tashmë përmes këtij shërbimi përfundojë punë brenda ditës”, tha ai.

Sportelistja e pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare për shërbimet që ofrohen nga sporteli Fast Track u shpreh se “Shërbimi “Fast Track” është së pari një lehtësi shumë e madhe për qytetarët dhe për disa kategori të caktuara biznesi, siç janë noterët, ndërtuesit, bankat, apo përmbaruesit, të cilët kanë tashmë mundësinë, që prej nëntorit, të marrin shërbime në një kohë shumë të shkurtër dhe në të njëjtën kohë të mundësojnë edhe ato një shërbim më cilësor për klientët e tyre”.

“Këtu ofrohen 9 shërbime nga 54 në total që ofron ZRPP. Shërbimet që ofrojmë ne janë, regjistrimi i kontratës së shitjes, regjistrimi i kontratës së dhurimit, lëshimi i kopjes së hartës kadastrale të pasurisë, lëshimi i kopjes së kartelës së pasurisë, regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia, regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka deri në 1 000 000 lekë, regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia, regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka nga  1 000 000- 10 000 000 lekë, regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia, regjistrimi i kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka mbi 10 000 000 lekë, si edhe regjistrimin apo fshirjen e kontratave të tjera të hipotekës”, tha punonjësja e Hipotekës”, tha ajo.

Shërbimi “Fast Track”, ka dy qëllime kryesore, shërbimin e shpejtë nga njëra anë, por dhe uljen e burokracisë e për rrjedhojë uljen e mundësisë për korrupsion. Ky shërbim ka një kosto pak më të lartë, pasi çmimi i shërbimit është dyfish në krahasim me çmimin për shërbimet normale, që zgjat nga katër ditë punë në tetë ditë pune. Shkak për këtë kosto është dhe shërbimi postar i shpejtë.

Më 31 mars shërbimet e shpjeta përmes sistemit të ri do të implementohen në të gjithë Shqipërinë, në 11 zyrat kryesore rajonale. Afërsisht gjysma e aplikimeve të qytetarëve që shkojnë në hipotekë lidhen me shërbimet që ndodhen në platformën “fast track”. /a.g/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.