Krijohet Pylli Social në Maliq, synohet mbjellja e 800 mijë pemëve

TIRANË, 2 mars /ATSH/ – Në pyllin e Maliqit nisi projekti për mbjelljen e mbi 800 mijë pemëve gështenjë dhe arrë, të cilat nuk do të jenë vetëm për të krijuar oksigjen, por edhe një pemëtari të vyer për këtë zonë.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili u shpreh se, “sot është data 2 mars, është dita kur ne kemi shpallur fushatën “Krijo Oksigjenin tënd” dhe së bashku me kaq shumë të rinj me përfaqësues të institucioneve të mjedisit dhe me prezencën e trupit diplomatik, sot mbjellim 42 ha që janë rreth 21 mijë pemë gështenja dhe arra, të cilat do t’i dhurohen komunitetit. I gjithë projekti do të mbjellë në këtë zonë 800 mijë pemë duke realizuar detyrimin që ka karshi investimit që ka bërë në hidrocentralin e Devollit, duke i dhënë komunitetit ndihmesë shumë të madhe”.

“Ne duam të mbjellim pemë, përveçse të shtojmë gjithë të mirat që ka mbjellja e pemëve këto pemë duhet të prodhojnë fruta për komunitetin. Pra të jenë pemë si këto që po mbjellim sot, arra dhe gështenja që do të prodhojnë për 3-4 vjet një ekonomi për njerëzit që do t’i mirëmbajnë”, u shpreh Klosi.

“U mbollën në Korçë pemë për mbrojtjen nga erozioni apo që prodhojnë fruta si akacia apo bli të cilat do t’u shërbejnë atyre që rrisin bletë. Pra e gjithë filozofia është që jo vetëm të mbjellim pemë, jo vetëm të kemi këtu 800 mijë pemë të reja që është numër i konsiderueshëm për të gjithë aksionin tonë ”Clean and Green 2020” dhe për të shkuar në 20 milionë e 200 mijë pemë në vitin 2020, por edhe duke shënuar një Pyll Social, siç e kemi quajtur bashkë me projektin. Është shumë e rëndësishme që njerëzit, fëmijët, shkollat, komuniteti, të përfshihen në procesin e mbjelljes së pemëve, në procesin e realizimit të një natyre më të bukur sepse kështu mendojmë që ne dot ë shtojmë dashurinë e njerëzve për mjedisin dhe natyrën”, theksoi Klosi.

”Dje dhe sot të gjitha shkollat e vendit kanë mbjellë 1 milion pemë duke shënuar edhe pemët që mbjellim sot numri kalon mbi 1 milion por çdo pemë e mbjellë të jetë pemë e cila prodhon fruta, cdo pemë përveç bukurisë të ketë edhe vlerë për komunitetin që e mban”, përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.