Ftesa për dialog, Basha: Takimi i vetëm, ai me qytetarët në protestën e 16 marsit

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri sërish sot thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në protestën e 16 marsit, ndërsa theksoi se protestat do të vijojnë sa herë që mblidhet parlamenti.

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, Basha tha se “hapi i vetëm për ta çuar Shqipërinë në Europë është t’i japim fund një qeverie të lidhur me krimin dhe të kemi një parlament të zgjedhur nga populli”.

I pyetur mbi ftesën e Kryeministrit Edi Rama për dialog, Basha tha se “populli ka folur qartë dhe opozita i është përgjigjur kërkesës popullore për një ndryshim të vërtetë në Shqipëri”.

“Demokraci fasadë, parlament që vjedh qytetarët dhe nxjerr kriminelët nga burgu nuk do të ketë më. Ndaj dhe takimi i vetëm që unë kam është me qindra mijë shqiptarë në datën 16 mars, në protestën popullore”, tha Basha.

Kjo, tha Basha, “nuk është përplasje mes partish, por është për fatin e shqiptarëve”. Europa nuk të pranon me një qeveri të kapur në flagrancë duke vjedhur votat, duke vjedhur qindra milionë lekë të shqiptarëve, duke shkatërruar institucionet e vendit”, tha Basha.

Ai shtoi se vendi është në emergjencë kombëtare dhe ka nevojë për njerëz që i shërbejnë interesave të qytetarëve.

I pyetur mbi deklaratat e faktorit ndërkombëtar për protestat e opozitës dhe djegien e mandateve, Basha tha se “kudo në Europë, nëse vidhen votat, ikën qeveria dhe personat përgjegjës shkojnë në burg”.

“Kjo ndodh në Gjermani, në Itali, në Britani dhe në çdo vend të Europës. Këto standarde i kanë bërë këto vende të zhvilluara, të përparuara dhe me mirëqenie. Ndërkombëtarët nuk do të kërkojnë asnjë gjë më shumë për vendin tonë se sa kushtet që Europa ka garantuar për qytetarët e saj dhe ne nuk do të pranojmë asnjë gjë më pak, pavarësisht nëse vjen kërkesa nga persona të painformuar”, tha Basha.

Sipas tij, “të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar që duan Shqipërinë si gjithë Europa nuk mund të kërkojnë asnjë gjë më pak për shqiptarët se sa standardet që kanë vetë”.

Basha tha se “këtë herë ishte radha e opozitës të sakrifikonte për vendin, pasi djegia e mandateve është një sakrificë që po bën opozita”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.