Biznesi i përgjigjet nismës, parkut të Liqenit i shtohen 150 pemë të reja

Veliaj: “Pemët janë bekim për qytetin; kemi edhe dy muaj kohë për të kaluar 100 mijë pemët”

TIRANË, 2 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/- Thirrjes së Bashkisë së Tiranës për dhurimin e pemëve për qytetin i janë përgjigjur qindra biznese dhe sipërmarrje private. Për të dytin vit radhazi, Telekom Albania iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet, duke dhuruar 150 pemë, të cilat u mbollën në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi solidaritetin e qytetarëve dhe të bizneseve për të kontribuar në shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. “Çdo dhuratë është për të thënë faleminderit, por sidomos dhuratat e mira, të bukura dhe të shëndetshme si këto 150 pemë, janë një bekim i vërtetë”, u shpreh Veliaj.

Falë projektit transformues të Bashkisë së Tiranës, Parku i Madh i Liqenit ka dyfishuar hapësirat e tij, që deri 4 vite më parë ishin të zaptuara nga ndërtimet pa leje. Në një kohë të shkurtër, pavarësisht skeptikëve, Liqeni Artificial është kthyer në një nga vendet më të preferuara për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

“Bashkia i ka kthyer qytetit diçka mbrapsht me Liqenin, është dyfishuar si sipërfaqe, tani duhet të dyfishojmë edhe pyllëzimin. Kemi vendosur që pemët që kemi marrë sot dhuratë të konturojnë shtigjet e vrapit dhe të biçikletave në pistat e reja që janë hapur”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me intensitet të lartë projektin e mbjelljeve të pemëve dhe të krijimit të Pyllit Orbital. Veliaj theksoi se për qytetin është e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen të gjithë ata që kërkojnë t’iu lënë fëmijëve të tyre një qytet më të pastër.

“Këtë vit jemi shumë pranë 100 mijë pemëve, por kemi edhe dy muaj kohë, ndaj do të ftoja të gjithë ata që duan t’i japin mbrapsht diçka Tiranës, kësaj Tirane të bukur e të madhe që i jep gjithmonë dashuri njerëzve, nëse duan t’i dhurohet diçka mbrapsht, dhurata më e bukur do ishte një pemë”, tha Veliaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.