Vendosja e shtatores së Skënderbeut në Lezhë – Ministria e Kulturës: Punimet pa leje

TIRANË, 1 mars/ATSH/ – Ministria e Kulturës reagoi sot në lidhje me pezullimin e punimeve në sheshin “Gjergj Fishta” në bashkinë e Lezhës.

Në njoftim për shtyp, Ministria e Kulturës sqaron se “më 19 shkurt të këtij viti Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse”.

“Sheshi “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës ndodhet brenda zonës arkeologjike, zona “A”, sipas Vendimit e Këshillit të Ministrave Nr. 728, datë 01.09.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, për këtë arsye Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi nga bashkia Lezhë dorëzimin e projektit për shqyrtim”, thekson MK.

Sipas Ministrisë, projekti “Vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në sheshin “Gjergj Fishta”, u dorëzua me mangësi nga bashkia Lezhë më 26 shkurt 2019, si dhe më 27 shkurt 2019.

“Duke vlerësuar situatën Instituti i Monumenteve të Kulturës iu drejtua Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit më 27 shkurt për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme”, nënvizon Ministria e Kulturës.

Aktualisht, thekson Ministria, projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.