Samiti II i Diasporës, Rama: Sinergji e përbashkët në vizionin që na bashkon

TIRANË, 1 mars/ATSH/- “Në Samitin II të Diasporës kemi mundur të tregojmë se kemi punuar për të vendosur disa shtylla, qoftë në aspektin ligjor, apo organizativ në mënyrë që procesi i ndërveprimit me diasporën të mos jetë një proces ndërveprimi spontan dhe as mos të karakterizohet nga këto samite”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në mbrëmjen gala të Samitit II të Diasporës, ku u dorëzuan trofetë “Shqiponja e Artë e Diasporës” si dhe titulli “Ambasadori i Kombit”.
Duke falënderuar të gjithë të pranishmit në samit, Kryeministri Rama theksoi se “shpresoj që deri tani të mos thoni që nuk ia ka vlejtur”.

“Nga ana tjetër dua t’i përgëzoj nga zemra të gjithë ata që po marrin ‘Shqiponjën e Artë’, të merituar pa diskutim”, – u shpreh Rama.

Kreu i Qeverisë theksoi se “sot pashë edhe disa reagime për këtë Samit. Më bëri shumë përshtypje negativiteti i reagimeve, njëri thoshte që është samiti i vakisë, tjetri samiti i përçarjes, e kështu me radhë, por sidoqoftë po t’i besosh mikut tim budist Pandeli Majkos, të gjitha këto janë shenja të mira”.

“Dua të them se më vjen shumë mirë që në këtë Samit ne kemi mundur të tregojmë për të gjithë ata që kanë qenë sigurisht të interesuar e të vëmendshëm të ndjekin të gjitha panelet se kemi punuar për të vendosur disa shtylla qoftë në aspektin ligjor, apo organizativ në mënyrë që procesi i ndërveprimit me diasporën të mos jetë një proces ndërveprimi spontan dhe as mos të karakterizohet nga këto samite, që jam i bindur do të kthehen në traditë, por të jetë një proces ku ne realisht krijojmë një hapësirë ndërveprimi e të kemi një sinergji të përbashkët në vizionin që na bashkon”, – nënvizoi Rama.

E them këtë, vijoi Rama, sepse është vërtetë e rëndësishme të ndaj me ju vetëdijen se janë shumë gjëra, që për fat të keq kanë nisur me vonesë në Shqipëri.

“Sikur në Shqipëri kjo histori që ne kemi nisur ta shkruajmë së bashku në mënyrë modeste, pa bujë, por duke u përpjekur që të krijojmë këtë hapësirë të përbashkët, të kishte nisur të shkruhej 25 vite më parë dhe sot të mos ishim në samitin e dytë, por në samitin e dymbëdhjetë, me siguri do të kishim bërë shumë më shumë progres”, – theksoi Kryeministri.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “ashtu sikundër do të kishim bërë më shumë progres, sikur reformat që ne kemi nisur në këto vite të ishin nisur shumë vite më para dhe sot, sikur të mos ishim duke diskutuar rezultatet e para të këtyre reformave, por të ishim në një proces krejt tjetër”.

“Do të kishim kursyer energji të çuara dëm, fonde të çuara dëm, dhe mbi të gjitha do kishim kursyer jashtëzakonisht shumë shpresa dhe ëndrra të mbetura të parealizuara jo për shkak të individëve, por të një pafuqie të brendshme nga ana jonë, që ti fillonim gjërat me radhë në kohën e duhur, hap pas hapi”, – tha Rama.

Sipas Kryeministrit, asnjëherë nuk është vonë dhe sot mund të themi me plot gojën që kemi hedhur një hap tjetër, do na duhen patjetër të tjerë hapa.

Kryeministri Edi Rama duke i dhuruar “Shqiponjën e Artë të Diasporës” tenorit të njohur Saimir Pirgu tha se “e dua dhe admiroj. E dua se është një person që na bën të gjithëve jo vetëm krenarë, por të ndjehemi edhe të gëzuar kur e shikojmë, dhe e admiroj se është një nga ata që kanë provuar se kur njeriu e shikon një ëndërr me sy hapur është në gjendje ta realizojë, mjafton të jetë i gatshëm të paguajë çmimin e sakrificave dhe mundimeve që kërkon realizimi i ëndrrës”./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.