MFE: Kryetari i bashkisë Skrapar përgjegjës për bllokimin e buxhetit

TIRANË, 1 mars /ATSH/ – Kryetari i bashkisë Skrapar është përgjegjës për bllokimin e buxhetit të kësaj bashkie dhe mbi bazën e të gjitha informacioneve që disponon, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë bllokimin.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka reaguar lidhur me situatën e bllokimit të buxhetit  në bashkinë e Skraparit (Ҫorovodë), duke sqaruar se, ka ndjekur nga afër ҫdo zhvillim në këtë bashki dhe në bazë të ligjit për vetëqeverisjen vendore, është kryetari i bashkisë Skrapar ai që duhet të dërgojë në degën e thesarit detajimin e buxhetit të vitit 2019.

“Pretendimi i kryetarit të bashkisë Skrapar për përdorimin e buxhetit të përkohshëm vendor për vitin 2019, 1/12 e shpenzimeve të një viti më parë është në kundërshtim me ligjin, për sa kohë që këshilli i kësaj bashkie është shprehur me një vendim për miratimin e buxhetit të vitit 2019. Ministria e Financave dhe Ekonomisë i është drejtuar kryetarit të bashkisë, Skrapar zytarisht të bëjë detajimin e buxhetit dhe ta dërgojë atë për zbatim në degën e thesarit Skrapar”, citon njoftimi i MFE.

Në vijim, MFE bënë sërish me dije se fondet janë të disponueshme në thesar dhe presin vetëm kërkesën e kryetarit të bashkisë për detajimin e buxhetit. Pa këtë detajim, që vetëm kryetari i bashkisë ka të drejtën në bazë të ligjit për ta dërguar si nëpunësi autorizues i bashkisë, thesari është në pamundësi ligjore të çeljes të fondeve.

MFE i bën thirrje kryetarit të bashkisë Skrapar, për dorëzimin e detajimit të buxhetit të miratuar sipas ligjit dhe mosbërjen pengesë për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët e kësaj bashkie.

“Në këto kushte, për krijimin e kësaj situate, bazuar në kuadrin ligjor Ministria e Brendshme si autoriteti qendror përgjegjës për pushtetin vendor, përmes Drejtorisë së Çështjeve Vendore dhe Prefekturave ka nisur procedurat për inspektimin e të gjithë praktikës të dokumentacionit për këtë rast dhe në ditët në vijim merret një vendim për zgjidhjen. Ministria e Financave dhe Ekonomisë siguron gjithashtu të gjithë qytetarët e vendit se ajo vepron bazuar në ligj për të gjithë shtetasit njësoj, pa dallim”, – thuhet në njoftimin e MFE. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.