MEKSIKË – Krijohet Garda Kombëtare kundër narkotrafikantëve

MEKSIKO, 1 mars /ATSH-AFP/ – Deputetët meksikanë votuan dje me shumicë të theksuar krijimin e një garde Kombëtare, me disa dhjetëra mijëra forca ushtarake, për të luftuar kundër dhunës që lidhet me kartelet e drogës.

Kjo reformë kushtetuese e kërkuar nga presidenti Andres Manuel Lopez Obrador u miratua nga Kongresi Federal me 463 vota pro dhe një kundër.

Ajo u votua fillimisht nga Senati me unanimitet javën e kaluar.

Për të hyrë në fuqi, projekti duhet të ratifikohet ende nga një shumicë e parlamenteve lokalë në 32 shtete që përbëjnë Meksikën, ku shumica e tyre kontrollohen nga partia ”Morena” e Lopez Obrador.

Krijimi i kësaj force të armatosur është pjesë e një strategjie të re e ideuar nga Lopez Obrador për të parandaluar dhunën në Meksikë, ku 33 341 vrasje u regjistruan në 2018, një shifër rekord që prej fillimit të hartimit të statistikave në 1997./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.