Krijohet regjistri shtetëror i mësuesve të gjuhës shqipe dhe certifikata për nxënësit në Diasporë

TIRANË, 1 mars /ATSH/ – Miratohet krijimi i regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe dhe certifikata për nxënësit në Diasporë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën për krijimin e regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhësh shqipe në bazë të të cilit ministria përgjegjëse për arsimin krijon regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.

Ky regjistër do të përmbajë listën e mësuesve të cilët kanë të drejtë të japin mësim për programin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.

Gjithashtu aty do të pasqyrohen të dhënat e mësuesve në Diasporë të cilat do të bëhen pas vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga ana e tyre, në ministrinë përgjegjëse.

Në bazë të marrëveshjes “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, datë 23.03.2015 ministria përgjegjëse për arsimin gjithashtu do të përgatisë certifikatën për nxënësit që përfundojnë programin e mësimit të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në Diasporë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.