Balla: Qeveria dhe Kuvendi janë legjitime, zgjedhjet në 2021

TIRANË, 1 mars/ATSH/ – Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste Peqin,

Duke iu referuar veprimeve të fundit të opozitës Taulant Ball u shpreh se: “Lulzim Basha krijoi një precedent të rrezikshëm, që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, që çdo opozitë që nuk kënaqet me rezultatin zgjedhor të kërcënojë me djegie mandatesh nëse nuk merr fitoren ne tavolinë.

Shqipëria nuk e ka luksin që të dalë kundër SHBA dhe BE. Deklaratat e partnerëve tanë ndërkombëtarë nuk lënë asnjë vend për pikëpyetje. Thirrja e tyre mbetet e qartë ndaj çdo kandidati në listat shumë emërore për të mos iu bindur urdhrit politik të Bashës dhe Kryemadhit për mandatet e deputetëve.

Parlamenti është legjitim, Qeveria është legjitime dhe të jetë e qartë se Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë në Qershor 2021. Ndërkohë që më 30 Qershor 2019 shqiptarët do të votojnë për kryetarët dhe këshillat bashkiakë”, u shpreh Balla.

Në këtë takim të pranishëm ishin, deputetët Evis Kushi dhe Anastas Angjeli, si dhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.