Zbardhet ngjarja në Vlorë, arrestohet autori

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/- Policia e Vlorës pas një hetimi të shpejtë ka arrestuar autorin e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë

“Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme ku i moshuari 69-vjeçar u dërgua në Spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore, me pretendimin se u gjet i gjakosur nga nipi i tij, bëjmë me dije se: Policia e Vlorës pas hetimeve intensive, ka bërë zbardhjen e gjithë mekanizmit të ngjarjes. Rezulton se autori i dyshuar i krimit të jetë nipi i të moshuarit, V.K., 17 vjeç, i cili do të përballet penalisht për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare””, thuhet në njoftim.

“Pas ekspertizës së kryer në pjesën e pasme të kokës së viktimës është konstatuar një predhë armë zjarri, e cila si pasojë ka sjellë vdekjen e të moshuarit. Gjithashtu, shërbimet policore kanë sekuestruar edhe armën e krimit, tip pistoletë, të cilën autori e kishte hedhur në një puset afër banesës me qëllim për të fshehur gjurmët”, vijon njoftimi.

“Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë 3 persona, të cilët dyshohen se i kanë shitur armën e krimit autorit të ngjarjes, shtetasit L.M, 17 vjeç, F.Xh, 16 vjeç dhe M.A, 28 vjeç, të cilët u arrestuan nga Policia për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve””, përfundon njoftimi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.