Ruçi takim me delegacionin e PE-së: Parlamenti legjitim, vjen nga zgjedhje të ndershme

TIRANE, 28 shkurt/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot delegacionin e eurodeputetëve të Parlamentit Europian, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, në këtë takim Kryeparlamentari Ruçi u ndal mbi ecurinë e përmbushjes së reformave në kuadër të integrimit. Ruçi theksoi se Reforma në Drejtësi po ecën me shumë sukses, duke nënvizuar se Vetingu është jetik për drejtësinë dhe Shqipërinë.

Ai deklaroi se në qershor, organet e reja të sistemit do të jenë në funksion të plotë duke shtuar se kjo reformë ka mbështetjen e 99% të shqiptarëve.

Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Kryeparlamentari tha se paketa është depozituar në Kuvend.

Sa i përket djegies së mandateve nga opozita, Ruçi është shprehur se parlamenti është legjitim pasi vjen nga zgjedhje të ndershme.

“Zgjedhjet e 2017 janë të certifikuara nga 100% e numuruesve të opozitës, – theksoi Kreu i Kuvendit, duke shtuar se, – zgjedhjet kanë probleme, por ato zgjidhen në Kuvend”.

Ai tha se sot “opozita gëzon të drejta që unë si opozitar nuk i ëndërroja. Kreu i PD, Lulzim Basha ka fol dy orë më shumë se Kryeministri në Parlament dhe opozita ka fol tre orë më shumë se mazhoranca”.

Ai shtoi se “opozita ka refuzuar të përdorë kontrollin parlamentar”.

Nga ana e tyre, eurodeputetët theksuan nevojën për unitet kombëtar për të përparuar në rrugën drejt integrimit në BE, duke theksuar se “Parlamenti është vendi për debatet politike dhe nxitjen e reformave”.

Delegacioni i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, po zhvillon takime me lidershipin politik, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërinë civile.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni prej 7 eurodeputetësh të Parlamentit Europian, do të vlerësojë aspiratat e pranimit në BE të Shqipërisë.

Njoftimi i plotë i Kuvendit:

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin e Parlamentit Europian, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim ishin të pranishëm edhe  Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS dhe bashkëkryetar i delegacionit shqiptar në PE, si edhe znj. Senida Mesi, Zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian.

Kryetari Ruçi falenderoi europarlamentarët për mbështetjen që Parlamenti Europian i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Roli i Parlamentit Europian është vendimtar në sigurimin jo vetëm të mbështetjes institucionale, por dhe asaj publike të këtij procesi. Ne jemi të vendosur për të vazhduar avancimin e axhendës së BE-së për ruajtjen e ritmit të reformave sipas pesë prioriteteve kryesore përcaktuese, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Në lidhje me heqjen dorë  nga mandati të 57 deputetëve të opozitës, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se “Opozita gëzon të gjitha kushtet për të ushtruar përgjegjësitë  e saj parlamentare, politike e kombëtare, ligjvënëse dhe kontrolluese, si asnjë opozitë para saj. Unë vetë kam qenë 60 përqind të viteve të jetës time politike në opozitë dhe as ëndërroja të kisha këto të drejta që gëzon opozita sot. Gjatë tri sesioneve të fundit, opozita ka munguar në 18 nga 42 seanca plenare të zhvilluara. Foltorja e parlamentit dhe debati parlamentar kanë qenë në dispozicion të opozitës. Edhe pse ka munguar në 18 seanca, opozita ka folur në Kuvend rreth 22 orë më shumë se maxhoranca. Prej shtatorit 2017, opozita ka zhvilluar 805 diskutime në 117 orë, kundrejt 595 diskutimeve në 95.3 orë të maxhorancës. Lulzim Basha ka zhvilluar 64 diskutime në 13 orë, kundrejt 49 diskutimeve në 11.4 orë të Kryeministrit. Nëse shtojmë edhe diskutimet dhe 1.6 orët dhe 14 diskutimet e drejtueses tjetër të opozitës, Monika Kryemadhit, rezulton se drejtuesit e opozitës kanë folur mbi dy orë më shumë se Kryeministri i vendit. Pra, Qeveria dhe shumica kanë janë në minorancë për përdorimin e kohës parlamentare. Opozita ka drejtuar 174 kërkesa për informacion, dhe pothuajse të gjithave u është dhënë përgjigje. Opozitës i janë plotësuar të gjitha kërkesat për mocione për debat, ngritje komisionesh hetimore etj. Të gjithë këto hapësira u krijuan sepse ne, me vullnetin tonë, ndryshuam Rregulloren e Kuvendit për të krijuar të gjitha kushtet që opozita të ushtrojë përgjegjësitë e saj parlamentare”.

Kryetari Ruçi u prezantoi eurodeputetëve edhe  kontributin e Kuvendit për integrimin europian dhe çështjet e lidhura me këtë proces dhe adresimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2018, të cilat lidhen me reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe rritjen e transparencës, konsolidimin e funksionimit demokratik të Kuvendit dhe fuqizimin e kontrollit parlamentar.

Eurodeputetët, anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian vlerësuan arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe avancimin e axhendës integruese në të pesë prioritetet. Në përfundim të takimeve në Shqipëri, delegacioni i Parlamentit Europian dha një konferencë për shtyp. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.