Përfaqësuesi PPE-së: Zgjedhjet e 2017-ës të njohura e të pranuara, respektoni rezultatin

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/- Cristian Preda, përfaqësuesit e Partive Popullore Europiane (PPE) tha sot se “është i papranueshëm bojkoti dhe abandonimi i mandateve, pasi zgjedhjet e 2017-ës janë të njohura dhe të pranuara”.

Preda tha se “bojkoti për ne është i papranueshëm. Abandonimi i mandateve është i papranueshëm. Ne jemi parlamentarë dhe kemi përgjegjësitë tona. Unë kam qenë këtu si vëzhgues i zgjedhjeve në 2017 dhe përfundimet tona ishin që zgjedhjet shkuan mirë dhe nuk mund të themi pas një viti e gjysëm që zgjedhjet nuk ishin të mira dhe kur e dëgjoj këtë nga disa parti, që ata thonë se përfundimet e bëra nga zyrtarët europianë nuk janë korrekte, me thënë të drejtën mërzitem pak, sepse ne kemi ekspertizën më të mirë në botë që respektohet në gjithë botën për sa i takon vëzhgimit të zgjedhjeve”.

“Kështu që për mua është pak çudi të dëgjojmë nga shqiptarët se zgjedhjet e 2017 ishin të këqija, nuk e di çfarë do të thotë kjo? Ju lutem respektoni rezultatet e zgjedhjeve dhe bëni punën siç thashë më sipër, ne do t’ju mbështesim idenë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE”, tha ai. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.