Mesi: Të gatshëm për avancimin e mëtejshëm të axhendës së integrimit

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ “Ne jemi të gatshëm për avancimin e mëtejshëm të axhendës së integrimit europian të Shqipërisë”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi, ndërsa informoi mbi takimin me përfaqësuesit e delegacionit europian.

Mesi tha se në takim “ne shprehëm përpjekjet tona të vazhdueshme në drejtim të avancimit të reformave të domosdoshme për vendin tonë”.

Në lidhje me zhvillimet më të fundit politike dhe situatën e paprecedentë të krijuar nga përfaqësuesit e opozitës, Mesi vuri në dukje se “nga ana e europarlamentarëve u nënvizua legjitimiteti aktual i këtij parlamenti, si dhe zgjedhjet e rregullta të vitit 2017”.

Po ashtu, Mesi tha se ata nënvizuan se “ka vetëm një vend ku opozita mund të luajë një rol, dhe ai është Parlamenti”.

“Eurodeputetët pohuan se Shqipëria ka bërë progres dhe ne do të shohim faktet. Shqiptarët meritojnë të jenë në Europë. Po ashtu ata shprehën mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët, për Qeverinë dhe Parlamentin”, tha Mesi. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.